IPK rekomandon suspendimin e një togeri policor

10.05.2024

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

IPK rekomandon suspendimin e një togeri policor Foto: Ilustrim

Sipas njoftimit, pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Zyrtarët e IPK-së  kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës.

Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet tutje në njoftim.