Goditje e fuqishme nga Dogana dhe Policia ndaj kontrabandës në Gjilan, sekuestrohen pjesë të automjeteve serbe
Njësia e taskforcës e përbërë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, në kuadër të masave të intensifikuara për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme dhe kontrabandës, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm në Gjilan.
Më datë 03.02.2025, pas pranimit të informatave për posedim të mallrave të kontrabanduara, është ushtruar kontroll në një subjekt afarist në Gjilan. Gjatë kontrollit, janë gjetur pjesë të ndryshme të automjeteve, të gjitha prodhim serb, për të cilat nuk posedoheshin dokumente përkatëse.
Si rezultat, mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme. Ky operacion i suksesshëm tregon angazhimin e Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke siguruar një mjedis më të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.
Ky rast shërben si një paralajmërim i qartë për të gjithë ata që tentojnë të angazhohen në aktivitete të tilla të paligjshme, se autoritetet kompetente janë të vëmendshme dhe të gatshme të veprojnë në çdo kohë për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur interesat e vendit.