Gjetja e arsenalit të armëve në veri, sasia e konfiskuar dhe deklaratat e ministrit Sveçla e drejtorit Hoxha

15.05.2024

Policia e Kosovës të martën ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme pas gjetjes së arsenalit të armëve në veri të vendit.

Gjetja e arsenalit të armëve në veri, sasia e konfiskuar dhe deklaratat e ministrit Sveçla e drejtorit Hoxha Foto: Ilustrim

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media bëri se nga bashkëpunimi i ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe informacionet e pranuara, policia kreu një bastisje në rrethinën e Zveçanit.

“Operacioni u zhvillua pranë Urës së Hekurt dhe rezultoi me zbulimin e armatimit të rëndë dhe pajisjeve ushtarake të fshehura, të cilat dyshohet se kishin për qëllim të sulmonin institucionet e sigurisë të Kosovës dhe të trazonin qetësinë në rajon”, deklaroi Hoxha.

Sasia e konfiskuar nga policia është e madhe dhe përfshin 1 mijë e 588 municione, 10 armë të gjata, 6AK 47, mitralozë, 62 shok-bomba, eksplozivë të ndryshëm, dylbi, radiolidhje, pajisje shurdhuese, karikatorë, maska, jelekë antiplumb, uniforma të ushtrisë serbe dhe uniforma të Policisë së Kosovës, si dhe pajisje për dron.

Kreu i Policisë theksoi se tashmë është ndaluar për intervistim një person, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij.

Hoxha shtoi se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat dhe përgjegjësitë individuale në lidhje me këtë rast.

Lidhur me gjetjen e arsenalit të armëve ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai shprehu vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të ballafaquar çdo përpjekje për cenimin e rendit kushtetues.

Sipas tij, mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit po ç’rrënjosen nga veriu.

“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”.

“Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”.

“Askush nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia e veprimeve që cenojnë sigurinë e Kosovës. Drejtësia do t’i ndjekë dhe të gjithë fajtorët do të marrin dënimin e merituar”, u shpreh Sveçla

“Armët që u zbuluan në këtë operacion ishin të planifikuara të përdoren për sulme kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kundër Policisë,” deklaroi ai në një konferencë për media.

Ai theksoi se zbulimi i këtyre armëve është një dëshmi e përfshirjes direkte të shtetit të Serbisë në përpjekjet për të destabilizuar Kosovën.

“Nga informacionet që kemi deri më tani, është e qartë se ka persona të tjerë të përfshirë përveç atyre të njohur”.

“Ne nuk do të ndalemi në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit”, u shpreh Sveçla.

Kjo është depoja e pestë sipas Sveçlës që e kanë zbuluar brenda vitit.

“Ata që paraqesin kërcënim për rendin kushtetues do të përgjigjen para ligjit për aktet e tyre,” deklaroi ai.

Ndërkohë, edhe pse Kosova akuzon Serbinë për organizimin dhe kryerjen e sulmeve të planifikuara, qeveria e Beogradit mohon çdo përfshirje.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe i dyshuar si organizatori i këtyre sulmeve, aktualisht besohet se qëndron në Serbi. Një fletarrestim ndërkombëtar është lëshuar për të nga INTERPOL.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që ata të përfshirë në sulme të tilla të sillen para drejtësisë, duke përpjekur të sigurojë një përgjigje të shpejtë dhe të drejtë për veprimet e tyre. /Telegrafi/