E rëndë në Pejë: 34-vjeçari e rrah dhe e bën për spital babanë, përfundon në ndalim policor

10.06.2024

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

E rëndë në Pejë: 34-vjeçari e rrah dhe e bën për spital babanë, përfundon në ndalim policor Foto: Ilustrim

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Pejë, ku një burrë është përballur me dhunë nga djali i tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku plasi sherri dje në mëngjes dhe eskaloi në dhunë fizike, siç ka ndodhur edhe në disa raste tjera.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari 34-vjeçar e ka sulmuar babanë, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka i njëjti u dërgua për trajtim mjekësor.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 34-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.