Dogana zbulon dy raste të parave të padeklaruara në pikën kufitare të Bërnjakut

02.08.2024

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare të Bërnjakut janë evidentuar dy raste të mjeteve monetare të padeklaruara.

Dogana zbulon dy raste të parave të padeklaruara në pikën kufitare të Bërnjakut Foto: Ilustrim

Dy personave gjatë kontrollit i janë gjetur shumë në vlerë mbi 10,000 euro.

“Rreth orës 14:20, në hyrje të PKK Bërnjak, ka arritur një automjet  në të cilin gjendeshin dy persona: vozitësi dhe një pasagjer. Gjatë një kontrolli rutinor, për shkak të dyshimeve, automjeti u selektua për kontroll në vijën e dytë. Zyrtarët doganorë pyetën palët nëse kishin diçka për të deklaruar, ndonjë mall për doganë apo mjete monetare. Pasagjerët u deklaruan se nuk kishin asgjë për të deklaruar. Gjatë kontrollit të automjetit dhe pasagjerëve nga zyrtarët e doganës dhe policisë, u zbuluan dy raste me mjete monetare në shumën mbi 10,000.00 €”, thotë dogana në njoftim.

Te personi i parë, dogana thotë se u gjetën 10,220 €, derisa tek personi i dyte  gjetën 10,100 €.

“Pas zbulimit të rasteve, u njoftuan zyrtarët e hetuesisë, të cilët erdhën në vendin e ngjarjes dhe intervistuan palët. Për rastet në fjalë u njoftua prokurori i shtetit. Bazuar në Ligjin Nr. 05/L-096, palëve u konfiskua 25% e mjeteve monetare, ndërsa 75% e mjeteve monetare u ndaluan përkohësisht me urdhër të prokurorit”.

Dogana e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme, duke garantuar sigurinë ekonomike dhe financiare të vendit tonë.