Dogana e Kosovës sekuestron automjetin me targa të huaja në Prishtinë, ka vlerë 250 mijë euro

04.07.2024

Sot, oficerët e antikontrabandës të Doganës së Kosovës, gjatë një patrullimi në periferi të Prishtinës, kanë sekuestruar një automjet të regjistruar jashtë vendit.

Dogana e Kosovës sekuestron automjetin me targa të huaja në Prishtinë, ka vlerë 250 mijë euro Foto: Ilustrim

Oficerët doganorë pas ndalimit të automjetit kanë kuptuar se personi që ishte në posedim të automjetit është banor i Kosovës, i cili ka vepruar në kundërshtim të normave të Kodit Doganor dhe Akcizave që rregullojnë administrimin e automjeteve të regjistruara jashtë vendit.

Si rezultat, oficerët sekuestruan automjetin për të nisur procedurat relevante administrative kundër poseduesit.

Automjeti i sekuestruar është një Ferrari 499 GTB, me një vlerë të tregut të vlerësuar rreth 250,000 euro.

“Sipas dispozitave ligjore, automjetet e regjistruara jashtë vendit me targa të rregullta lejohen në Kosovë vetëm nëse përdoren nga pronarët e tyre të ligjshëm gjatë qëndrimeve të përkohshme. Qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë të posedojnë ose të përdorin automjete të regjistruara jashtë vendit në këto rrethana”, njofton Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, thotë se është e përkushtuar të zbatojë këto dispozita ligjore për të parandaluar evazionin fiskal dhe për të siguruar përputhshmërinë me ligjin.

“Me këtë ftojmë të gjithë qytetarët që t’i përmbahen detyrimeve ligjore për mos posedim të automjeteve pa paguar detyrimet doganore. Ne mbetemi vigjilent për të siguruar se kërkesat ligjore zbatohen nga të gjithë një trajtshëm”, njofton tutje Dogana e Kosovës.