Dogana e Kosovës gjen mallra të fshehura në një automjet në pikën kufitare të Vërmicës

21.06.2024

Dogana e Kosovës njofton se ka parandaluar futjen e mallrave të padeklaruara në Pikën Kufitare Vërmicë.

Dogana e Kosovës gjen mallra të fshehura në një automjet në pikën kufitare të Vërmicës Foto: Ilustrim

“Pas ndalimit të një automjeti, drejtuesi është pyetur nëse kishte ndonjë gjë për të deklaruar për Doganën, dhe ai është përgjigjur negativisht. Mjeti është selektuar për kontroll të dytë, me asistimin e zyrtarëve policorë. Gjatë ekzaminimit të mjetit, janë gjetur mallra të padeklaruara dhe të cilat ishin kamufluara nën pajisjet e peshkimit në sediljen e pasme dhe në bagazh”, vijon njoftimi i Doganës.

Mallrat e padeklaruara përfshinin tonera të llojeve të ndryshme, në sasi prej 57 copë, me vlerë totale mbi 1,000 euro, bazuar në faturën e gjetur.

“Bazuar në këtë fakt, pala ka shkaktuar kundërvajtje doganore të sanksionuar sipas nenit 244.1.1 të KDAK-së”.

Të gjitha mallrat janë konfiskuar dhe ka filluar procedura kundërvajtëse kundër personit përgjegjës.

Dogana e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin rigoroz të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi për të siguruar një tregti të drejtë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës.