Arrestohet një kameraman në Prizren

09.07.2024

Të martën është arrestuar punonjësi i “Betimit për Drejtësi”, Arianit Tahiri, ka njoftuar Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, pjesë e të cilit është mediumi.

Arrestohet një kameraman në Prizren Foto: Ilustrim

Ai ka shkruar në Facebook se kameramani është arrestuar dhe është marrë në pyetje “se pse po xhironi”.

“Prokuroria Themelore në Prizren e paska zbuluar një mënyrë të re si me i pengu gazetarët kur bëjnë hulumtime, i arrestojnë dhe i dërgojnë në stacion policor me i marrë në pyetje pse po xhironi. Kjo sot i ndodhi gazetarëve dhe kameramanit të ‘Betimi për Drejtësi’. Prokuror që nuk e di as ABC-në e ligjeve që i mbrojnë gazetarët në punën e tyre apo prokurorë që i dalin në mbrojtje krimit duke i penguar gazetarët në punën e tyre”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Sipas tij, arrestimi dhe marrja në pyetje është shkelje e rëndë e lirisë së medias.

“Marrja në pyetje e kameramanit është veprim arbitrar i Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të njëjtit menjëherë duhet të lirojnë kameramanin Arianit Tahiri”, shtoi ai.

Miftaraj i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka shtuar se kryeprokurori Admir Shala dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të japin sqarime dhe të ndërmarrin veprime ndaj prokurorit “që e keqpërdor pozitën dhe autoritetet zyrtar kaq hapur”.