Arrestohet 65-vjeçari në Prizren, i sekuestrohen granata dore dhe armë zjarri
Një 65-vjeçar është arrestuar në Prizren pasi policia i gjeti në shtëpi granata dore dhe armë zjarri.
Sektori i hetimeve rajonale në Prizren, pas informatave të marra në rrugë operative-hetimore, ka identifikuar të dyshuarin me inicialet B.K. (viti i lindjes 1960), i cili dyshohet se posedonte armë të paautorizuara në shtëpinë e tij.
Pas marrjes së këtij informacioni, prokurori i shtetit u njoftua menjëherë dhe Gjykata Themelore në Prizren lëshoi një urdhëresë për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.
Më 02.04.2025, policia realizoi urdhëresën e kontrollit dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit u gjetën dhe sekuestruan si prova materiale:
- Një granatë dore e modelit F1
- Një pistoletë me gaz BLOW F92 9mm P.A.K
- Një karikator me nëntë (9) fishekë
Granata e dorës u tërhoq nga njësiti i NJTME i Policisë së Kosovës, për shkak të rrezikshmërisë së saj.
I dyshuari, në prani të avokatit të tij mbrojtës, u intervistua nga policia dhe me vendim të prokurorit të shtetit u ndalua për 48 orë. Ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.