Aksident tragjik në Prizren, vetura aksidenton për vdekje një 68-vjeçare
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Prizren, duke i marrë jetën një gruaje të moshuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:28 në rrugën “Ekrem Rexha”.
Sipas informacioneve të para, një automjet i drejtuar nga një 55-vjeçar, i cili po lëvizte në shiritin e djathtë të rrugës, nuk ka vërejtur një këmbësore duke kaluar rrugën në vendkalimin e shënuar dhe e ka goditur atë.
Këmbësorja, një grua rreth 68 vjeçare, ka marrë lëndime të rënda trupore dhe është transportuar menjëherë në qendrën emergjente të spitalit të Prizrenit. Mjekët kujdestarë kanë konstatuar lëndime të rënda dhe rrezik për jetën, duke e dërguar atë për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë.
Fatkeqësisht, rreth orës 17:15, policia ka pranuar njoftimin nga QKUK se këmbësorja ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Prokurori kujdestar ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi, ndërsa shoferi i automjetit është ndaluar për 48 orë në qendrën e ndaljes në Polici.