Vrasja në Suharekë, i akuzuari thotë se policia pas përgjimeve kishte kuptuar se i ndjeri nuk ishte rrëmbyer por vrarë

19.11.2021

Këtë deklarim, i akuzuari Fadil Fetiu e bëri të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, pasi që dha mbrojtjen e tij në rastin e vrasjes së Abedin Bytyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”. I akuzuari Fetiu deklaroi se me të akuzuarin tjetër Murat Ademi njihen që nga viti 2009, mirëpo ishte takuar me të 10 ditë […]

Vrasja në Suharekë, i akuzuari thotë se policia pas përgjimeve kishte kuptuar se i ndjeri nuk ishte rrëmbyer por vrarë Foto: Ilustrim

Këtë deklarim, i akuzuari Fadil Fetiu e bëri të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, pasi që dha mbrojtjen e tij në rastin e vrasjes së Abedin Bytyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Fetiu deklaroi se me të akuzuarin tjetër Murat Ademi njihen që nga viti 2009, mirëpo ishte takuar me të 10 ditë para ditës kritike, pasi që ai kishte nevojë për me ndryshu orëmatësin e rrymës.

Ai tha se Murat Ademi ia kishte rekomanduar të ndjerin Abedin Bytyqi që t’ia ndryshojë orëmatësin e rrymës.

I akuzuari Fetiu shtoi se kur ishte takuar me Abedinin kishin folur për njehësorin elektrik, i cili i kishte thënë që nuk ka kohë pasi që ishte i nxënë me punë.

Ai tha se ka pasur bisedë me të ndjerin Abedin edhe gjatë ditës kritike, ku e kishin lënë që të takohen te lokali “Vala Net”.

Por, para se të shkonin atje, thotë se ishin takuar në rrugë me Abedinin dhe aty ishin marrë vesh që të shkojnë së bashku me veturë me të në fshatin Peqan.

I akuzuari Fadil Fetiu tutje deklaroi se kur kanë mbërritur në shtëpi aty kishte ardhur edhe Murat Ademi e që pas disa minutash, filloi një debat i ashpër mes Muratit dhe Abedinit.

Kjo sipas tij, pasi që Murati po e akuzonte Abedinin për sjelljet e tija të ashpra në raport me Resmijen, e që në vazhdim të debatit përmendeshin çështje intime, probleme familjare dhe çështje të moralit e që në një moment Murati e nxori pistoletën nga trupi i tij dhe ia kishte drejtuar Abedinit.

Pas kësaj, Murati i kishte thënë Abedinit që të shkonte të ballafaqohej me Resmijen e aty edhe ia kishte lidhur duart me lidhëse plastike asaj, ku pastaj e ka futur në makinë dhe janë larguar nga oborri i shtëpisë.

Ai tha se pas kësaj, ky (Fadil Fetiu) e kishte ndjekur me veturën e tij Muratin, e që ky ishte ndalur tek restaurant “Bunari”.

Mirëpo, shton se Murati kishte vazhduar tutje e që në atë restaurant ishte kthyer pas 20 minutash ku edhe i kishte shpjeguar për sjelljen e Abedinit e që tërë këto veprime kishin qenë të arsyeshme dhe që qëllimi ka qenë vetëm që ta frikësojë atë.

Pas kësaj, deklaron se ata ishin nisur për në Suharekë me automjetin e Fadilit, ku Murati gjatë rrugës i kishte thënë që për këtë çështje të mos folë të vërtetën se çka ka ndodhur në shtëpinë e tij dhe që të mos flasë asgjë.

Por, nëse pyesin për Abedinin, tha se Murati i kishte thënë të thoshte që e ka lënë në fshatin Reshtan te ura, e ndërkohë në veturë Murati i ka shqyer disa dokumente dhe kartela të Abedinit.

Tutje i akuzuari Fadil tha se pas ngjarjes kishin pasur telefonata me Muratin, e që të nesërmen ka ardhur policia në shtëpinë e tij, ku i kanë thënë se kanë disa pyetje për t’ia bërë.

Ai tha se kanë shkuar në Stacionin Policor në Suharekë dhe e kishin pyetur rreth Abedinit, ku i kishte treguar sipas udhëzimeve që i ka thënë Murati më herët.

Fadili tha se takimi me të akuzuarin Reshat Ademi ka qënë diku 3-4 ditë pasi që është arrestuar Murati në Rahovec, ku i kishte treguar se Muratin e kanë arrestuar dhe se i ka lënë numrin e tij të telefonit.

Po ashtu, tha se i kishte thënë që nëse të thirrin policia me e lajmëru Reshatin e që pas kësaj Fadili e kishte thirrur hetuesin Besim Rexhepi dhe i kishte thënë se çka kanë folur me Reshatin.

I njëjti tha se kur e kanë arrestuar Muratin, ky kishte pranuar që të bashkëpunojë me policinë pasi që policia ishte e interesuar që ta gjejnë trupin e Abedinit.

Pas kësaj policia e kishte thirrur Fadilin që t’ia vendosin pajisjet teknike pasi që kishin për qëllim që ta përgjojnë takimin që do të mbahet mes Fadilit dhe Reshatit.

Tutje, deklaron se me të akuzuiarin Reshat Ademi ishin takuar në restaurant “Bunari” dhe se çka është folur aty gjendet në CD e që pas kësaj policia e kishte kuptuar që rasti s’kishte të bëjë me rrëmbim, por me vrasje.

Fadili tha se kishin gjithsej katër takime me Reshatin e që këto takime ishin organizuar nga ana e policisë përmes masave të fshehta teknike e që qëllimi i Reshatit ka qënë me ditë se çka kishte deklaruar në polici, ku edhe i kishte dhënë sygjerime se çka me folë.

I akuzuari Fadil tutje tha se ishte arrestuar nga policia për deklaratë të rrejshme pasi që s’kishte treguar të vërtetën.

Tutje tha se të akuzuarën tjetër Resmijen, për herë të parë e kishte takuar në seancën gjyqësore të paraburgimit.

Në fund derisa në pyetje po e merrte i akuzuari Murat Ademi, Fadil Fetiu tha se nuk do t’i përgjigjet pyetjeve të tij, pasi që nëse i përgjigjet mund ta inkriminojë vetveten.

Pas kësaj, shqyrtimi i sotëm përfundoi dhe i njëjti do të vazhdojë më 23 nëntor 2021.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë, Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu, ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtë