Vrasja në Suharekë, eksperti sqaron lokacionet e thirrjeve telefonike nga të akuzuarit

07.10.2021

Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani njoftoi palët se lidhur me urdhëresat e lëshuara të IPKO-s dhe Vala-s, lidhur me hyrje-daljet e bisedave telefonike të nr. të tel. 044/… dhe 049/… në pronësi të R.B dhe nr 049/… në pronësi të R.A, IPKO dhe VALA ka njoftuar se këto të dhëna […]

Vrasja në Suharekë, eksperti sqaron lokacionet e thirrjeve telefonike nga të akuzuarit Foto: Ilustrim

Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani njoftoi palët se lidhur me urdhëresat e lëshuara të IPKO-s dhe Vala-s, lidhur me hyrje-daljet e bisedave telefonike të nr. të tel. 044/… dhe 049/… në pronësi të R.B dhe nr 049/… në pronësi të R.A, IPKO dhe VALA ka njoftuar se këto të dhëna i ruajnë dhe i administrojnë vetëm për 1 vit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Dragusha në lidhje me pyetjen rreth lokacionit të numrit të akuzuarit F.F të datës 6 tetor 2016 tha në orën 10:00-10:13 thirrja është realizuar nga Rahoveci nga F.F ku është thirrë M.A, pastaj në ora 11:08 minuta dhe 12:09 gjatë thirrjeve F.F përsëri ka qenë në Rahovec.

Pastaj gjatë orës 13:29 ka qenë në fshatin Studençan, në ora 15:16 ka qenë në lëzivje nga fshati Reshtan, pastaj në ora 18:19 ka qenë në lëzivje nga Studençani për zonën e Reshtanit, dhe në orën 19:27 e deri në 20:14 ka qenë përsëri në Rahovec.

Duke shpjeguar hartën që ka paraqitur listën e thirrjeve, eksperti tha se pikat e kuqe të shënuara në të paraqesin mesin e zonës së rrethuara me vija të bardha, ndërsa pjesa e brendshme e vijës së bardhë paraqet mbulueshmërinë e zonës së antenës dhe se në momentin kur janë përdor numrat e lartëcekur kanë qenë brenda perimetrit të vijës së bardhë.

Ai shtoi se të gjithë numrat e lartcekur kanë qenë në zonën e njëjtë të mbulueshmërisë , mirëpo nuk mund të konstatohet se a kanë qenë bashkë apo ndaras.

Tutje, ai tha se edhe pas datës 6 tetor 2016 ka pasur thirrje në mes të numrave të lartcekur.

Pas kësaj, palët nuk kishin pyetje për ekspertin dhe për shkaqe të obligimeve familjare të prokurorit, Genc Nixha, shqyrtimi i sotëm është ndërprerë dhe i njëjti është caktuar më 10, 11 dhe 15 nëntor 2021.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon M.A dhe R.A se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, tani të ndjerin A.B, kurse R.B e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

F.F fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019 ishte ndryshuar aktakuza ndaj F.F, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit M.A dhe R.A, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën R.B, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari M.A, i shtyrë nga e akuzuara R.B, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit F.F, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se M.A e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër R.A dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi