Suharekë, refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli

19.07.2021

Të hënën, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli, A.R. Të pranishëm në seancën e shqyrtimit të dytë ka qenë prokurori Shpend Binaj dhe i akuzuari A.R, raporton “Betimi për Drejtësi”. I akuzuari A.R, verbalisht ka parashtruar kërkesën për hudhjen e aktakuzës […]

Suharekë, refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

Të hënën, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli, A.R.

Të pranishëm në seancën e shqyrtimit të dytë ka qenë prokurori Shpend Binaj dhe i akuzuari A.R, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari A.R, verbalisht ka parashtruar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke thënë se ai nuk është kryesi i veprës penale.

“Nuk është e vërtetë të kem kryer këtë vepër penale. Janë rojtarët e pyllit të cilët vazhdimisht po më bëjnë fletëparaqitje përkundër faktit se vetëm një herë më kanë zënë në pyll dhe të njëjtat prova po i përdorin vazhdimisht”, deklaroi ai.

Lidhur me këtë, prokurori Binaj ka thënë se kundërshtimi i aktakuzës dhe provave nuk kanë asnjë bazë ligjore.

Ai i ka propozuar gjykatës që ta refuzoj kërkesën e të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës dhe të caktoj shqyrtimin gjyqësor.

Pas kësaj, gjykatësi Robert Tunaj ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ndërsa shqyrtimin gjyqësor e ka caktuar më 1 shtator 2021, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari A.R më 30 shtator 2020, rreth orës 14:40, në Njësinë Menaxhuese Pyjore “Koka e Ahut” në vendin e quajtur “Rrahishta”, me qëllim të vjedhjes, me motosharrë pret dru të llojit “ah”, me diametër 17, 15 dhe 13 cm, në vëllim të përgjithshëm prej 3.22 m3, në atë mënyrë që në ditën kritike është hasur në vendin e ngjarjes nga rojet e pyllit me masën drunore të ngarkuar në automjetin e tipit “Gjip”, me të cilat veprime Autoritetit Pyjor Komunal të Suharekës i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 492.66 euro.

Me këto veprime akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhja e pyllit” nga neni 349 paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/