Publikohet ekspertiza për rastin ku 22 vjeçari humbi jetën në një aksident në fshatin Peqan

21.02.2022

Në seancën e së hënës, eksperti Qehaja tha se ekspertizën e tij e ka bazuar në të dhënën se deri te aksidenti i 12 shtatorit 2021 ka ardhur pasi automjeti “Wolkswagen” me një pjesë të veturës ka kaluar jashtë shirtit të drejtimit të lëvizjes, përderisa motoçikleta ka lëvizur sa më afër shiritit të mesëm. Eksperti […]

Publikohet ekspertiza për rastin ku 22 vjeçari humbi jetën në një aksident në fshatin Peqan Foto: Ilustrim

Në seancën e së hënës, eksperti Qehaja tha se ekspertizën e tij e ka bazuar në të dhënën se deri te aksidenti i 12 shtatorit 2021 ka ardhur pasi automjeti “Wolkswagen” me një pjesë të veturës ka kaluar jashtë shirtit të drejtimit të lëvizjes, përderisa motoçikleta ka lëvizur sa më afër shiritit të mesëm.

Eksperti deklaroi se në rastin konkret, nuk ka vija ndarëse në rrugë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Vozitësit duhet që të vozisin sa më afër skajit të djathtë të rrugës dhe në rastin konkret, vozitësit nuk kanë respektuar këtë rregull, konkretisht motoçikleta ka lëvizur afër mesit të rrugës, ndërsa automjeti ka dal me një pjesë të veturës jashtë mesit të rrugës.”, ka thënë ai.

Sipas ekspertit, në rrugën e aksidentit nuk ka pasur shenja të rrezikut për teposhtë apo përpjetë dhe se në bazë të gjurmëve që kanë mbetur në rrugë, e sipas pikës së goditjes, ka dhënë konstatimin se një pjesë e veturës ka dalur jashtë shiritit të majtë të lëvizjes.

Në fund, eksperti Qehaja tha se mbetet pranë mendimit se edhe motoçiklisti tani i ndjerë mban një pjesë të përgjegjësisë për rastin e ndodhur.

Ndryshe, para dëgjimit të ekspertit të komunikacionit, prokurorja Ervehe Gashi ka bërë leximin e aktakuzës, pas çka i akuzuari K.G u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurorja Gashi ka thënë se gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë do të vërtetohet me provat të cilat janë propozuar, në mesin e tyre edhe ekspertiza e punuar lidhur me këtë rast, raportet policore, testi i alkoolit që i është bërë të akuzuarit. Sipas saj, të gjitha këto prova janë siguruar duke u bazuar në dispozitat ligjore.

Fjalën e saj hyrëse e mbështeti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skënder Morina, duke shtuar se tani i ndjeri A.B. nuk mban asnjë përgjegjësi për aksidentin e shkaktuar dhe se kjo do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit K.G, avokati Miftar Qelaj në fjalën hyrëse tha se i mbrojturi i tij është deklaruar i pafajshëm, pasi aksidenti nuk ka ndodhur si pasojë e lëshimeve të tij.

Avokati Qelaj shtoi se mendimi i ekspertit të komunikacionit nuk është i plotë, e se për këtë do të propozojë një ekspertizë tjetër, me arsyetimin se në këtë rast kemi përgjegjësi të ndarë.

Kurse, pas dëgjimit të ekspertit të komunikacionit, avokati Qelaj tha se ka vërejtje sa i përket ekspertizës.

Qelaj tha se si mbrojtje kanë siguruar një ekspertizë të një eksperti të pavarur, i cili atë e ka bërë mbi bazën e shkresave të lëndës dhe se pas daljes në terren, ka konstatuar një gjendje tjetër faktike nga ajo që ka konstatuar eksperti sot.

Andaj, i njëjti i kërkoi gjykatës që në seancën e radhës të ftohet eksperti Bardhyl Abazi.

Këtë propozim e kanë kundërshtuar prokurorja Ervehe Gashi dhe avokati Morina. Ky i fundit i kërkoi gjykatës që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes, në mënyrë që të konstatohet edhe gjendja faktike në terren.

Megjithatë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, e aprovoi propozimin e avokatit Qelaj dhe bëri leximin e ekspertizës së ekspertit të komunikacionit, Bardhyl Abazi, të datës 29 nëntor 2021.

Ndërsa sa i përket kërkesës për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, gjykatësja Skenderi tha se do të vendosë më vonë, pasi që të shteren provat nga prokurori dhe avokati mbrojtës.

Pas kësaj, e njëjta caktoi seancën e radhës për 8 prill 2022, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prizren më 9 nëntor 2021 ka përpiluar aktakuzë kundër K.G, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 371, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, K.G më 12 shtator 2021, rreth orës 22:00, në rrugën lokale Suharekë – fshati Peqan, ka drejtuar automjetin e markës “VW Transporter”, në gjendje e paaftë, në ndikim të alkoolit, dhe shkakton aksident në komunikacion rrugor që rezulton me vdekjen e A.B.

Në aktin akuzues thuhet se K.G derisa ka qene duke e drejtuar automjetin e cekur si më lartë, duke lëvizur ne rrugën me përpjetë dhe me kthesë në të djathtë, me një pjesë te kamionetës del në shiritin e majtë të drejtimit të lëvizjes, ndërsa në atë moment në atë shirit nga ana e kundërt ka qenë duke lëvizur motoçikleta “Scooter”, të cilën ka qenë duke e drejtuar tani i ndjeri A.B.

Aty thuhet se më atë rast vjen deri te goditja me pjesën e përparme të anës së majtë të kamionetës të cilën e drejtonte i pandehuri, me dorezën e anës së majtë te motoçikletës te cilën e drejtonte këtu tani i ndjeri A.B.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se si pasojë e goditjes, A.B. rrëzohet dhe përfundon jashtë rruge, ne të djathtë të rrugës. Me këtë veprim thuhet se K.G shkakton aksident që rezulton me vdekjen e tani të ndjerit A.B., ku shkaku i vdekjes së të njëjtit si pasojë e aksidentit ne trafik është konstatuar ne bazë te raportit të autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të datës 13 shtator 2021. /BetimipërDrejtësi