Prokuroria kërkon që tekniku i pyjeve në Komunën e Suharekës të shpallet fajtor, mbrojtja kërkon lirimin e tij

20.02.2020

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që tekniku i pyjeve në Komunën e Suharekës, Muharrem Basha, të shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të dënohet sipas ligjit. Basha, akuzohet se duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i lejuar një qytetari transportimin e thëngjillit, me […]

Prokuroria kërkon që tekniku i pyjeve në Komunën e Suharekës të shpallet fajtor, mbrojtja kërkon lirimin e tij Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që tekniku i pyjeve në Komunën e Suharekës, Muharrem Basha, të shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të dënohet sipas ligjit.

Basha, akuzohet se duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i lejuar një qytetari transportimin e thëngjillit, me ç’rast atij i shkakton dobi, duke ia lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim të tillë, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, e ka bërë në seancën e së mërkurës, duke thënë se qëndron pran fjalës përfundimtare të përgatitur me shkrim.

Ajo tha se nga provat e materiale të administruara, por edhe me dëgjimin e dëshmitarëve është vërtetuar se i akuzuari Basha, është fajtor.

Sipas prokurores Gashi, lëshimi i fletëpërcjellësve për transportin e thëngjillit nuk ka qenë detyrë e teknikut të pyjeve, por është kompetencë e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Prokurorja Gashi, ka kërkuar nga trupi gjykues që pas administrimit të provave, të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë në bazë të ligjit.

Ajo ka kërkuar që përveç dënimit kryesor të akuzuarit Basha, t’i shqiptohet edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Ndërsa, në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Basha, avokati Pjetër Përgjoka, në seancën e së premtes në fjalën përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij, në mungesë të provave ta lirojë nga akuza me të cilën ngarkohet.

Ai ka thënë se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, nuk ka pasur ndonjë vendim për ndalimin e lëshimit të fletëpërcjellësve për bartjen e thëngjillit.

“Nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar se këta nuk kanë pas asnjë vendim që e ka ndalu lëshimin e fletëpërcjellësve për thëngjill. Fletëpërcjellëse kanë lëshuar edhe kolegët e tjerë të të mbrojturit tim, pse është ngritë aktakuzë vetëm ndaj këtij unë nuk e di”, ka thënë avokati Përgjokaj.

Sipas Përgjokës, nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se lëshimi i fletëpërcjellësve për bartjen e thëngjillit është detyrë e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

“Thëngjilli për të cilën ka lëshuar fletëpërcjellëse i mbrojturi im është produkt i drurit, nuk është xehe, është e vërtetë se thëngjilli si produkt nëntokësor është nën administrimin e KPMM-së, mirëpo këtu kemi të bëjmë me thëngjillin si produkt i drurit, që fatkeqësisht që të dy produktet kanë emërtimin e njëjtë thëngjill”, ka deklaruar avokati Përgjoka.

Ai i ka propozuar gjykatës që sipas dispozitave ligjore i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Ndërsa, i akuzuari Basha, ka mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, po ashtu ai personalisht ka dorëzuar një deklaratë me shkrim si fjalë përfundimtare.

Kryetari i trupit gjykues Artan Serjani, shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar më 24 shkurt 2020, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 27 shkurt 2019, Muharrem Basha, akuzohet se më 13 korrik 2018, në cilësinë e personit zyrtar si teknik i pylltarisë, në Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Sipas organit të akuzës, ai në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë-përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi