Një muaj paraburgim ndaj dy të arrestuarve në Suharekë se përgatiten shitjen e 27 pronave me dokumente të falsifikuara

15.07.2022

Të pandehurit S.M dhe H.I, dyshohen se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit , raporton “Betimi për Drejtësi”. Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurve S.M dhe H.I, paraburgimi u caktohet në kohëzgjatje prej një muaji, dhe atë duke filluar për secilin veç e veç, prej 12 korrik deri më 12 gusht 2022. Një vendim […]

Një muaj paraburgim ndaj dy të arrestuarve në Suharekë se përgatiten shitjen e 27 pronave me dokumente të falsifikuara Foto: Ilustrim

Të pandehurit S.M dhe H.I, dyshohen se kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurve S.M dhe H.I, paraburgimi u caktohet në kohëzgjatje prej një muaji, dhe atë duke filluar për secilin veç e veç, prej 12 korrik deri më 12 gusht 2022.

Një vendim i tillë për caktimin e masës së paraburgimit është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi.

Sipas gjykatës “duke pasur parasysh se të pandehurit me qëndrimin e tyre në liri mund të fshihen apo të ipen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, aq më tepër S.M, është shtetase e Republikës Serbe, ndërsa i pandehuri H.I edhe pse është shtetas i Republikës së Kosovës nga provat të cilat iu janë bashkangjitur Kallëzimit Penal rezulton se i dyshuari H.I posedon edhe pasaportën dhe shtetësinë Serbe, dhe frika nga pasoja e dënimit që mund të godet në të ardhmen të pandehurit, të njëjtit mund të arratisen nga Kosova dhe të jenë të pakapshëm për oganet e ndjekjes”.

Gjithashtu, sipas vendimit të gjykatës të njëjtit mund të ndikojnë në asgjësimin, fshehjen apo falsifikimin e provave materiale ose rrethana tjera të posaçme do të ndikojnë në rrjedhën e procedures penale duke ndikuar në të dëmtuarit dhe dëshmitarët eventual.

Ndaj vendimit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 24 orësh nga koha e dorëzimit të këtij vendimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 13 korrik 2022, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së parabugrimit ndaj të pandehurit S.M dhe H.I, ku sipas kësaj kërkese të pandehurit në bashkëpunim kanë ndryshuar fotografinë e letërnjoftimit të personit S.N  duke vendosur fotografinë e një personi të moshuar i ashtuquajtur Toza, ku me nënshkrimin e të njëjtit kanë nënshkruar autorizimin e përgjithshëm OPR.Br.5652/2022 më 14 qershor 2022, për shitblerjen e 27 pronave në sipërfaqe prej 8 Hektarë e 71.83 ari, në zyrën noteriale në Prizren. /BetimipërDrejtësi

Ndryshe, në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, më datë 04.07.2022, kishte siguruar informata relevante lidhur me kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ku një person i dyshuar ka ndryshuar dokumentin origjinal, letërnjoftimin e shtetit të Serbisë, duke vendosur fotografinë e vetë në letërnjoftim të personit tjetër gjithashtu nga Serbia, duke e shfrytëzuar dhe pretenduar shitjen e disa pronave në zonën kadastrale në Komunën e Suharekës.

Mbi bazën e këtyre informatave janë kryer një mori veprimesh operative/hetimore në bashkëpunim dhe bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, Oden e Noterëve të Kosovës dhe Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Suharekë, ku gjatë një aksioni të shpejtë policor më datë 12.07.2022 është realizuar arrestimi i dy personave të dyshuar me iniciale: S.M. femër (1971)) dhe H.I. mashkull (1979)), nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga Neni 390 i kodit penal të Republikës së Kosovës.

Veprimet inkriminuese të të dyshuarve konsistojnë ashtu që, i dyshuari në fjalë pasi ka falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave në këtë zonë, më pas ka autorizuar të dyshuarën me iniciale (S.M), që e njëjta të vazhdoj me shitjen e pronave së bashku me personin (H.I.) i cili ka shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, ku sipërfaqja e pronave që kanë pretenduar t’i shesin arrin afërsisht dhjetë (10) hektar, në vlerën aktuale përafërsisht rreth një milion Euro, por kjo është ndaluar duke i arrestuar të dyshuarit e lartcekur në flagrancë, falë angazhimeve dhe punës se përbashkët të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, me Institucionet e lartcekura.