Aksidenti në autostradë ku mbeti e vdekur një shtetase sllovene, një muaj paraburgim për dy të dyshuar

05.10.2021

Gjykata Themelore – Dega në Suharekë, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtari i procedurës – Robert Tunaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 02.10.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 02.11.2021, ndaj të pandehurve: Z.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka […]

Aksidenti në autostradë ku mbeti e vdekur një shtetase sllovene, një muaj paraburgim për dy të dyshuar Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore – Dega në Suharekë, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtari i procedurës – Robert Tunaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 02.10.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 02.11.2021, ndaj të pandehurve:

Z.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ngasja në gjendje të pa aftë apo të dehur nga neni 371. Par. 3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe

S.D., për shkak të veprës penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 par. 9 lidhur me par. 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Z.B., dhe S.D., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

I pandehuri Z.B., me datë 02 tetor rreth orës 21:15 minuta, në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në hyrje të fshatit Duhël, duke shkel ligjin mbi trafikun publik, vepron në kundërshtim me nenin 48 dhe 53 të Ligjit mbi Trafikun Rrugor dhe nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, aq sa vë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, në atë mënyrë që duke drejtuar në gjendje të paaftë apo të dehur, automjetin e udhëtarëve (A) , kur arrin në vendin kritik, shpejtësinë e lëvizjes së automjetit nuk ia ka përshtatur kushteve dhe rrethanave në rrugë, deri sa ishte duke lëvizur në shiritin e djathtë në gjendje të dehur dhe me tejkalim të shpejtësisë, me pjesën e përparme të anës së majtë, godet pjesën e pasme të anës së djathtë të automjetit (B – të cilin e drejtonte i dëmtuari A.B.,), ku nga forca e goditjes drejtuesi A.B., humb drejtimin, sillet në vend dhe goditet për herë të dytë nga automjeti (A)  i të  pandehurit duke i goditur mbrojtësit e metaltë të rrugës në anën e djathtë, ndërsa automjeti (A) i të pandehurit humb kontrollin duke u rrokullisur disa herë dhe përfundon i kthyer në krahë të majtë në shiritin e majtë qarkullues i mbështetur për mbrojtësit e metaltë të rrugës, me ç ’rast me këto veprime u shkakton lëndime të lehta dhe të rënda trupore katër (4) të dëmtuarve që gjendeshin në makinë,

I pandehuri S.D., me datë, kohë dhe vend të njëjtë si më lartë, duke shkel ligjin mbi trafikun publik, vepron në kundërshtim me nenin 48 dhe 53 të Ligjit mbi Trafikun Rrugor dhe nga pakujdesia rrezikon trafikun publik, aq sa vë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë, në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin e udhëtarëve (C) , kur arrin në vendin kritik, shpejtësinë e lëvizjes së automjetit nuk ia ka përshtatur kushteve dhe rrethanave në rrugë, deri sa ishte duke lëvizur në shiritin e djathtë qarkullues, posa e vëren automjetin “B” –të aksidentuar, për ti ikur aksidentit kalon në shiritin e majtë qarkullues, dhe me pjesën e përparme të anës së majtë godet automjetin “A” – , me targa sllovene, pasagjeren e automjetit “A” dhe drejtuesin e automjetit “B”, të cilët ishin në ato momente në afërsi të automjetit “A” duke i ofruar ndihmë drejtuesit të automjetit, me ç ’rast me këto veprime nga goditja me automjet dhe nga lëndimet e marra ndërron jetë pasagjerja e automjetit “A” –(e ndjera K.B.,)  ku ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë nga Suhareka kanë konstatuar vdekjen, ndërsa drejtuesi i automjetit “B” i dëmtuari A.B., ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se dy të pandehurit janë shtetas të huaj dhe nuk kanë vendqëndrim në Republikën e Kosovës, andaj me lënien në liri të njëjtin mund të jenë të pakapshëm për organet e ndjekjes, në këtë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e hetimeve dhe të procedurës, e gjatë kësaj faze duhet të merren një mori provash si dëgjimi i dëshmitarëve, të pandehurve por edhe të merren ekspertiza për shkallën dhe natyrën e lëndimeve dhe ekspertiza e komunikacionit dhe prova të tjera.

Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurit është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për shkak të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.