Seanca konstituive VV-LDK, përpjekje të orëve të fundit për arritjen e koalicionit

Kanë mbetur edhe tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të bëjnë përpjekjen e orëve të fundit për arritjen e marrëveshjes për koalicion.

Deri tash asnjëra palë nuk ka dhënë shenja se do të zmbrapset nga qëndrimet e betonuara rreth postit të presidentit, për të cilin LDK-ja insiston ta propozojë kandidatin dhe VV-ja t’ia zotojë 29 votat e deputetëve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas Vetëvendosjes që tri javë LDK-ja nuk ka bërë asnjë lëvizje prej pozicionit fillestar, teksa kanë përmendur edhe qëndrimin e deputetëve gjermanë, të cilët thanë se prioritet është formimi i Qeverisë.

“Presim prej disa javësh që marrëveshja të realizohet. Kjo është dëshirë e jona, dhe i kemi bërë disa lëshime e oferta konkrete, të cilat kryetari i ka përmendur publikisht, për hir të transparencës. Po presim që edhe pala tjetër të tregohet konkretisht e gatshme për marrëveshje”, ka thënë të dielën për gazetën Arlind Manxhuka nga zyra për informim e VV-së.

Mospajtimet nuk u tejkaluan as pas takimit të fundit ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës, i cili u mbajt një ditë pas kërkesës në kor të diplomatëve ndërkombëtarë që të nënshkruhet marrëveshja për koalicion.

Edhe pse LVV-ja prej fillimit ka insistuar që marrëveshja të arrihet vetëm për Qeverinë dhe Kuvendin, në takimin e fundit pika që i referohet presidentit është propozuar të ketë formulim “neutral”.

Ky qëndrim do të nënkuptonte përkushtimin e të dyja palëve në gjetjen e një personalitetit konsensual si kandidat për president.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 6 tetor, fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.