Vrasja për 20 euro borxh në Maqitevë, dëshmitari thotë se kishte tentuar ta ndalojë të ndjerin për të mos shkuar te i akuzuari

25.01.2022

Fillimisht gjykimi filloi rishtaz për shkak të ndryshimit të anëtarit të trupit gjykues ashtu që gjykatësi Fatmir Krasniqi është zëvendësuar me gjyqtarin Luan Berisha. Aktakuza është lexuar nga ana e Prokurorit Metush Biraj, e që pas kësaj i akuzuari S.A u deklarua i pafajshëm sa i përket veprës penale të vrasjes së rëndë, ndërsa pranoi […]

Vrasja për 20 euro borxh në Maqitevë, dëshmitari thotë se kishte tentuar ta ndalojë të ndjerin për të mos shkuar te i akuzuari Foto: Ilustrim

Fillimisht gjykimi filloi rishtaz për shkak të ndryshimit të anëtarit të trupit gjykues ashtu që gjykatësi Fatmir Krasniqi është zëvendësuar me gjyqtarin Luan Berisha.

Aktakuza është lexuar nga ana e Prokurorit Metush Biraj, e që pas kësaj i akuzuari S.A u deklarua i pafajshëm sa i përket veprës penale të vrasjes së rëndë, ndërsa pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Pas kësaj, me pajtimin e prokurorit, të dëmtuarës dhe përfaqësuesit të saj, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, gjykata ka bërë leximin e fjalës hyrëse, deklaratës së të dëmtuarës dhe deklaratave të dëshmitarëve të dhëna në seancat e kaluara.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit N.A i cili deklaroi se me të ndjerin Sh.K njihet përafërsisht 1 vit para ditës kritike tek i cili pas bisedës me të, e kishte ftuar që të punoj për disa punë në shtëpinë e tij.

Shtoi se në ditën kritike më 26.01.2020 me Sh.K ishin takuar pasi i njëjti e kishte telefonuar për të pirë një lëng në fshatin Maqitevë ku aty i ishte bashkëngjitur edhe pronari i lokalit L.A.

Gjatë qëndrimit në lokal, më vonë kishte ardhur S.A, i cili fillimisht i kishte folur L.A e pas kësaj ia kishte zgjatur dorën Sh.K, ky i fundit nuk ia kishte kthyer e që pas kësaj ishte quar nga tavolina, i kishte paguar pijet dhe kishte filluar t’i bërtet S.A.

Tutje deklaroi se Sh.K e kishte sharë me nënë S.A e që pas kësaj së bashku me L.A e kishin larguar jashtë lokalit dhe e kishin hypur në veturën e tij. Por pas disa çastesh i njëjti kishte dalur nga vetura, kishte marr një dru dhe ka shkuar në drejtim të të akuzuarit S.A i cili ishte jashtë lokalit.

Ai shtoi se kishte tentuar që ta ndal Sh.K, por nuk kishte mundur pasi që në atë moment edhe kishte krisur arma dhe nga frika ishte larguar nga vendi i ngjarjes duke u fshehur pas një muri të lokalit.

Në fund shtoi se nuk ka dëgjuar që Sh.K të ketë pasur ndonjëherë problem me të akuzuarin S.A apo me ndonjë anëtar të familjes së tij e as S.A me dikë tjetër.

Mbrojtësi i të akuzuarit S.A, avokat Nazmi Mustafi kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit S.A të bëhet një ekspertizë psikike lidhur me kohën e kryerjes së veprës penale dhe gjendjen e tij të tanishme.

Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha aprovoi propozimin e të avokatit mbrojtës ashtu që S.A do të i bëhet ekzamimini psikik pranë IPFK-së në Prishtinë nga ana e ekspertëve të lartë pranë atij institucioni.

Seanca e radhës do të vazhdojë sipas orarit të punës më 01 dhe 02 mars 2022.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon S.A se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e L.A.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L.A e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit L.A, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, A.K dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, S.A akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi