Viti 1999, shpërngulja nga Suhareka, hetimet e vrasjeve dhe rrëfimet e dëshmitarëve

19.03.2022

Prokuroria dhe Mbrojtja paraqitën një numër dëshmitarësh për të folur për krimet konkrete që janë kryer në Komunën e Suharekës dhe për situatën që mbretëronte në vitin 1998 dhe 1999. Gjatë përpilimit të konkluzioneve përfundimtare në lidhje me akuzat për vrasje dhe shpërngulje në qytetin e Suharekës, dhoma është bazuar edhe në dëshmitë e dhëna […]

Viti 1999, shpërngulja nga Suhareka, hetimet e vrasjeve dhe rrëfimet e dëshmitarëve Foto: Ilustrim

Prokuroria dhe Mbrojtja paraqitën një numër dëshmitarësh për të folur për krimet konkrete që janë kryer në Komunën e Suharekës dhe për situatën që mbretëronte në vitin 1998 dhe 1999.

Gjatë përpilimit të konkluzioneve përfundimtare në lidhje me akuzat për vrasje dhe shpërngulje në qytetin e Suharekës, dhoma është bazuar edhe në dëshmitë e dhëna nga dëshmitari i prokurorisë, Hysni Berisha.

Dhoma dëgjoi nga Hysni Berisha se më 27 mars 1999, pas vrasjeve në gjithë qytetin e Suharekës pati lëvizje të mëdha të forcave policore. Atë pasdite, Hysni Berisha i pa policët duke u vënë zjarrin shtëpive në jug të shtëpisë së tij. Më vonë ai u largua nga shtëpia e tij së bashku me familjen dhe qëndroi në bodrumin e shtëpisë së fqinjit me rreth 70-100 njerëz të tjerë.

Rreth orës 3 të mëngjesit të nesërm ata shkuan në një shtëpi tjetër rreth dy kilometra më larg, ku qëndruan deri më 3 prill 1999. Më 3 prill, kur asaj shtëpie iu afruan forca të veshura me uniforma kamuflimi të kaltra, të cilët Hysni Berisha i përshkroi si “paraushtarakë,” familja iku në një fushë të afërt. Ai dëshmoi se këto forca shtinin kundër gjithçkaje dhe se i pa duke u vënë zjarrin shtëpive me flakëhedhës së bashku me policinë dhe ushtrinë. Ai dhe të tjerët që ishin fshehur në fushë më në fund u rrethuan nga “paraushtarakët,” të cilët u morën paratë dhe gjërat me vlerë, dhe i urdhëruan të shkonin në Shqipëri.

Më pas z. Berisha iu bashkua një kolone që shkonte në drejtim të Shqipërisë. Kolonës iu bashkuan gjithnjë e më shumë njerëz dhe kur mbërriti në Korishë (komuna e Prizrenit) ishte bërë afërsisht pesë kilometra e gjatë. Në Korishë kolona u ndalua dhe u detyrua të qëndronte atje për dy ditë. Pak pas mesnate më 4 prill 1999, erdhën dy xhipa me “paraushtarakë.” Pesë prej tyre shkuan makinë më makinë në kolonë duke i plaçkitur njerëzit, përfshirë edhe Hysni Berishën. Ata u larguan, por u kthyen në mëngjes dhe u kërkuan përsëri para. Në atë kohë, z. Berisha pa gjithashtu qarkullim të vazhdueshëm të forcave policore dhe ushtarake me tanke dhe Praga nga Prizreni në drejtim të Suharekës. Ai dëgjoi granatim diku në afërsi. Duke kaluar pranë kolonës, këto forca i keqtrajtuan njerëzit në mënyra të ndryshme, madje edhe shtinë drejt tyre.

Pasi u lejua të largohej nga Korisha, kolona u ndalua përsëri në hyrje të qytetit të Prizrenit. Sipas z.Berisha, Millan Shipka, ish-komandant policie nga Suhareka që ishte transferuar në MPB-në e Prizrenit, i urdhëroi njerëzit në kolonë të ktheheshin në shtëpi sepse kufiri ishte mbyllur. Z. Berisha dhe familja e tij u kthyen drejt e në shtëpinë e tyre në Suharekë, e cila ishte plaçkitur dhe djegur.

Dhoma vëren se më 5 prill 1999, Shtabi i MPB-së u dërgoi urdhër të gjitha SPB-ve dhe detashmenteve të PJP-së në Kosovë që të mos lejonin civilët të largoheshin nga vendbanimet e tyre dhe të garantonin sigurinë e tyre.

Më 7 maj 1999, një grup tjetër paraushtarakësh erdhën në qytetin e Suharekës në xhipa të ndryshëm dhe filluan të digjnin dhe plaçkitnin shtëpitë në qytet. Më në fund disa prej tyre erdhën në shtëpinë e Hysni Berishës të armatosur me automatikë dhe të veshur me uniforma kamuflimi në ngjyrë të kaltër dhe të gjelbër me shami të bardha dhe të zeza në kokë. Ata i kërkuan z. Berisha ushqim dhe qirinj dhe e kërcënuan me thika. Këto forca u larguan nga qyteti pas dy ditësh

Më 21 maj 1999 Hysni Berisha u largua sërish nga Suhareka kur “paraushtarakët” shkuan në shtëpi dhe urdhëruan atë dhe familjen e tij të shkonin në Shqipëri. Ai i njohu këta njerëz se ishin vendas, njëri prej të cilëve punonte për policinë e rregullt, dhe të gjithë kishin uniforma kamuflimi të kaltra dhe armë automatike.

Ai dhe gruaja e tij u larguan nga qyteti dhe arritën dy autobusë të shoqëruar nga policia, të cilët i ishin dukur se bartnin të burgosur. Atë mbrëmje Z. Berisha dhe familje e tij mbërritën në shtëpinë e emtës së gruas në qytetin e Prizrenit, ku ai bujti deri më 13 qershor 1999, ditën e kthimit të tij në Suharekë.

Berisha dëshmoi se më 28 mars 1999 rreth orës 18:00 fqinji tij serb i cili ishte polic rezervist, e paralajmëroi se duhej të ikte në Shqipëri se përndryshe do të vritej. Si rezultat, ai dhe gruaja e tij u larguan nga shtëpia rreth orës 19:00 dhe shkuan fillimisht në fshatin Savrovë e të nesërmen në fshatin Buzhalë, ku bujtën në një shtëpi me 130 njerëz të tjerë. Më 3 prill 1999, të gjithë u nisën sërish, këtë herë për në Prizren, por policia u tha të ktheheshin në Savrovë, dhe ashtu bënë. Përfundimisht ata u kthyen në Suharekë te emta e z. Berisha dhe më 7 prill z. Berisha shkoi dhe u fsheh në pyll me dy djemtë e tij. Më 2 maj 1999 ai shkoi sërish në shtëpinë e emtës së tij.

Gjatë kësaj periudhe, gruaja e tij shkonte në shtëpinë e tyre e cila ishte plaçkitur, për të marrë ushqime. Më 21 maj 1999 rreth orës 10:00-10:30, gjashtë policë shkuan në shtëpinë e emtës së tij. Njëri prej tyre, i njëjti që e kishte dëbuar Hysni Berishën nga shtëpia, i tha familjes se kishin 15 minuta të bëheshin gati dhe të niseshin për në Shqipëri dhe se “kurrë nuk do ta shihni më këtë tokë.”

Familja hipi në dy makina dhe iu bashkua një kolone me rreth 2.000 njerëz. Ata që nuk kishin automjete të veta u paraqitën në qendër të qytetit në Suharekë ku ishin bërë gati dy autobusë dhe dy kamionë për t’i bartur. Kolona udhëtoi në drejtim të Prizrenit dhe Zhurit dhe më në fund arriti në Morinë. Policia kufitare u mori dokumentet e identifikimit, përfshirë edhe patentat e shoferit, dhe targat e makinave. Z. Berisha dëshmoi se, pasi kishin mbërritur në Kukës, Shqipëri, ata vunë re se kolona e tyre ishte shtuar në rreth 5.000 njerëz. Ai nuk u kthye në Suharekë deri më 23 qershor 1999.

Në konfirmim të dëshmive të të shpërngulurve nga qyteti i Suharekës, K79-a, pjesëtar i PJPsë, dëshmoi se dikur rreth 2 ose 3 prillit 1999 pa një kolonë të gjatë në rrugën Prizren-Suharekë. Kolona ishte rreth 30 kilometra me makina, traktorë, dhe kamionë plot me njerëz, të gjithë duke lëvizur në drejtim të Prizrenit.

Me t’u kthyer në Suharekë në qershor 1999, Hysni Berisha filloi hetimet e vrasjeve që kishin ndodhur gjatë konfliktit dhe vizitoi të gjitha vendet përkatëse, përfshirë picerinë, shtëpinë e Shyhrete Berishës, dhe shtëpinë e Vesel Berishës.

Gjithashtu ai vizitoi varrezën e Berishëve dhe pa 34 varre të reja. Fillimisht ai i bëri hetimet mbi bazë vullnetare, mirëpo kur në gusht 1999 në Suharekë u formua qeveria e përkohshme nga partia politike e UÇK-së, kjo qeveri e zyrtarizmi pozitën e tij. Detyrat e tij përfshinin punën në terren për identifikimin e viktimave civile. Ai përpiloi një listë të civilëve shqiptarë kosovarë nga komuna e Suharekës që ishin vrarë ose ishin zhdukur.

Në gusht 1999, Hysni Berisha shoqëroi ekipin mjeko-ligjor britanik dhe i ndihmoi në identifikimin e rrobave dhe sendeve të gjetura në Prizren në poligonin e qitjes. Më 19 shtator 1999, në atë vend u gjetën një numër artikujsh, si rroba, këpucë, dhe objekte të ndryshme. Ekipi mjeko-ligjor britanik i fotografoi dhe ua tregoi anëtarëve të familjes Berisha. Shumë nga këto sende u identifikuan si sende që u përkisnin anëtarëve të zhdukur të familjes, konkretisht Hanumshahe Berishës (81), Musli Berishës (63), Hamdi Berishës (54), Zelihe Berishës (50), Afrim Berishës (24), Violeta Berishës (22), Merita Berishës (10), Mirat Berishës (10), Jashar Berishës, Sofije Berishës (50), dhe Vesel Berishës (55).1363 Kufomat e të gjithëve përveç treve, konkretisht Violeta Berishës, Mirat Berishës, dhe Zelihe Berishës, u gjetën dhe identifikuan më vonë në varrin e përbashkët në Batajnicë.

Berisha ofroi të dhëna që dispononte si anëtar i një organizate shqiptare për personat e zhdukur dhe të vrarë, për numrin e njerëzve të vrarë dhe të zhdukur nga kjo komunë. Sipas këtyre të dhënave, numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë në komunë gjatë konfliktit ishte 561, nga të cilët 176 janë të paidentifikuar dhe 152 nuk janë gjetur kurrë. Nga 152 personat e zhdukur, 31 janë nga familja Berisha

Dhoma gjithashtu pranoi si dëshmi një dokument të MPB-së që përmban të gjitha veprat penale të dokumentuara në Kosovë dhe masat e ndërmarra në lidhje me to gjatë periudhës nga 1 korriku 1998 deri më 20 qershor 1999. Sipas këtij dokumenti, më 30 mars 1999 u gjetën tetë kufoma në një rrugë të Suharekës që është quajtur “zonë e veprimeve të UÇK-së.”

Katër nga kufomat, tre burra dhe një grua, u gjetën në oborrin e një shtëpie, kurse tri të tjerat dergjeshin përpara një shtëpie tjetër, dhe një u gjet në një punishte marangozi.

Sipas dokumentit, autorët e këtyre vrasjeve ishin të paidentifikuar. Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve okularë, vendi i katër kufomave në oborr, tregon se ata ishin anëtarë të familjes Berisha.

K83-shi dëshmoi se vetëm një numër i vogël i anëtarëve të familjes Berisha të vrarë më 26 mars 1999 u varrosën në varrezën e Suharekës, kurse shumica u dërguan në Prizren dhe më vonë në Batajnicë.

Dhoma ka marrë prova kriminalistike nga dy burime të ndryshme: materiale në lidhje me kufomat e zhvarrosura në Suharekë dhe materiale të tjera në lidhje me kufomat e zhvarrosura në Batajnicë afër Beogradit.

Sa i përket kategorisë së parë, Dhoma dëgjoi dëshmi nga Dr. Eric Baccard, raporti i të cilit përmban një pjesë ku analizohen provat e mbledhura në varrezën e Suharekës në shtator 1999 nga ekspertët e ekipit mjeko-ligjor britanik.

Raporti i Baccard-it bazohet në këto materiale: aktekspertizën antropologjike kriminalistike nga Dr. Sue Black të datës 2 nëntor 1999, dy aktautopsi të përgatitura nga Dr. Yvonne Milewski më 31 janar 2000,  tri përmbledhje antropologjike të përgatitura nga Dr. Black më 6 shtator 1999, dhe raportet antropologjike nga Julie Roberts të 5 janarit 2000. Sipas Baccard-it, ndër kufomat e gjetura në varrezën e Suharekës, ndodheshin kufomat e së paku 18 vetëve, shumica prej të cilëve meshkuj dhe pleq. Tre prej tyre u identifikuan se ishin të familjes Berisha, konkretisht, Faton Berisha, Fatime Berisha, dhe Sedat Berisha, të cilët janë identifikuar edhe nga Shyhrete Berisha se janë vrarë më 26 mars 1999 në qytetin e Suharekës.

Burimi i dytë përbëhet prej raporteve të shumta dhe dëshmive të atyre që kanë qenë të pranishëm, kanë mbikëqyrur, apo kanë marrë pjesë në zhvarrosjen dhe identifikimin e kufomave nga varret e përbashkëta në Batajnicë që nga viti 2001, konkretisht, Dushan Dunjiqi, Branimir Aleksandriqi, William Fulton, Jon Sterenberg, dhe Jose- Pablo Baraybar.

Rezultatet e punës së tyre dhe identifikimet që ata kanë bërë të viktimave të Suharekës janë analizuar në Shtojcën A të Aktgjykimit. Dhoma gjithashtu dëgjoi dëshmi nga Antonio Alonso, ekspert i identifikimit gjenetik, i cili analizoi mostrat nga disa prej kufomave të gjetura në Batajnicë. Gjatë vitit 2001, ai mori nga Dunjiqi 56 mbetje skeletore dhe nga KNPZH (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) mori 13 mostra reference të gjakut të anëtarëve të familjeve të njerëzve që pretendohet se janë vrarë në Suharekë për analizë gjenetike.

Pas kryerjes së analizave, Alonso paraqiti tre raporte me rezultate. Ai identifikoi 21 viktima, emrat e disa prej të cilëve janë në Listën D të Aktakuzës, konkretisht Sofije Berisha, Vesel Berisha, Hava Berisha, Drilon Berisha, Redon Berisha, Melinda dhe/ose Herolinda Berisha, Musli Berisha, Fatmire Berisha, Besim Berisha, Granit dhe/ose Genc Berisha, Nexhmedin Berisha, Lirije Berisha e cila ishte shtatzënë, Afrim Berisha, Hamdi Berisha, njëra nga katër vajzat e Hamdi Berishës, dhe Jashar Berisha.1375 Të gjitha këto viktima, përveç njërës, konkretisht Afrim Berisha, u identifikuan nga Shyhrete Berisha si persona që ajo i pa gjatë ngjarjeve të 26 marsit 1999, në qytetin e Suharekës.