Testi PISA, priten rezultate më të mira, rreth 200 nxënës nga Suhareka do të marrin pjesë

25.04.2022

Para disa jave në një prononcim për SuharekaOnline, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani ka bërë të ditur se kishin filluar përgatitjet për testin PISA. Drejtori i DKA-së në Suharekë ka shtuar se në këtë test nga Komuna e Suharekës do të marrin pjesë rreth 200 nxënës. E, njohës […]

Testi PISA, priten rezultate më të mira, rreth 200 nxënës nga Suhareka do të marrin pjesë Foto: Ilustrim

Para disa jave në një prononcim për SuharekaOnline, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani ka bërë të ditur se kishin filluar përgatitjet për testin PISA.

Drejtori i DKA-së në Suharekë ka shtuar se në këtë test nga Komuna e Suharekës do të marrin pjesë rreth 200 nxënës.

E, njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë se këtë herë rezultatet do të jenë më të mira, për arsye se vlerësimet e kaluara i kanë nxitur mësimdhënësit të punojnë drejt kërkesave që i paraqet Testi PISA.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se Kosova për herë të tretë do të marrë pjesë në testin PISA 2022. Zëdhënësja e Ministrisë se Arsimit, Iliriana Pylla, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se rreth 7 mijë nxënës,  nga 237 shkolla, do t’i nënshtrohen testit PISA. Ajo tha se  këtë vit presin rezultate të mira në këtë test, ndonëse situata me pandeminë e ka dëmtuar shumë procesin mësimor.

“Testi PISA këtë vit do të mbahet nga data 25 prill deri me datën 20 maj 2022. Në testim do të marrin pjesë rreth 7 mijë nxënës nga 237 shkolla që janë përzgjedhur. Vlerësojmë se gjendja e pandemisë, e cila ka rezultuar me çrregullime të procesit mësimor në dy vitet e fundit, ka ndikuar dukshëm në përgatitjen e nxënësve”, deklaroi Iliriana Pylla

Edhe njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë se këtë vit vlerësimi në PISA 2022 do të jetë më i mirë. Kështu, tha në një përgjigjeje për Radio Kosovën, Mustafë Kadriu, i cili ka qenë i përfshirë në vlerësimet e jashtme që janë bërë për nxënësit e Kosovës. 

“Kosova në PISA 2022 do të jetë pak më mirë se në vlerësimet paraprake. Duke pasur parasysh një përvojë të mësimit dhe kutikulat që janë duke u zhvilluar më shumë në bazë të kompetencave. Konsideroj që këtë herë Kosova do të renditet me mirë”, deklaroi Mustafë Kadriu

Testi PISA ka qenë i planifikuar të mbahet në vitin 2021, por, për shkak të pandemisë, është shtyrë për vitin 2022. Ky test bëhet çdo tri vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim në nivel global i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe jo-anëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Në vitin 2016, Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test. Ndërsa në testimin e dytë Kosova ishte në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit.