Suharekë, rreth 200 nxënës do të marrin pjesë në Testin PISA këtë vit

16.03.2022

Në një prononcim për SuharekaOnline, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar përgatitjet për testin PISA. Po ashtu, drejtori Bajselmani ka theksuar dje kanë qenë në Suharekë zyrtarët e Minsitrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe se janë caktuar tashmë […]

Suharekë, rreth 200 nxënës do të marrin pjesë në Testin PISA këtë vit Foto: Ilustrim

Në një prononcim për SuharekaOnline, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar përgatitjet për testin PISA.

Po ashtu, drejtori Bajselmani ka theksuar dje kanë qenë në Suharekë zyrtarët e Minsitrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe se janë caktuar tashmë edhe koordinatorët nëpër shkolla perkatëse ku janë nxënësit e moshës 15 vjeçare.

Drejtori i DKA-së në Suharekë ka shtuar se në këtë test nga Komuna e Suharekës do të marrin pjesë rreth 200 nxënës.

Derisa ka folur për datën e mbajtjes së testit PISA, Bajselmani ka thënë se nuk është përcaktuar ende data e saktë, por mendohet të mbahet pas datës 3 maj.

Ndryshe, Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite.

PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete. PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Pra, ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së studentëve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri. PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”.