Suharekë, 65 persona të verbër marrin pagesa nga skema e kompensimeve për të verbërit
- 05.12.2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor 2022.
Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e kompensimeve për personat e verbër.
Kompensimet për personat e verbër – I/E verbër konsiderohet personi me humbje të plotë të të pamurit të lindur ose të fituar të përcaktuar sipas kritereve mjekësore të vlerësuara nga Komisioni Mediko-social.
Komisioni Mediko-social është komisioni i përbërë prej ekspertëve mjekësor dhe social, i formuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i cili bën përcaktimin e shkallës së verbërisë, duke përfshirë kohëzgjatjen e saj, për secilin person që paraqet kërkesë për të gëzuar kompensim për shkak të verbërisë, përfitimet dhe të drejtat sipas ligjit 04/L-092.
Këto pagesa bëhen çdo muaj nga Departamenti i Administratës Pensionale. Përfitimin material për shkak të verbërisë e marrin personat, pavarësisht nga mosha dhe në të njëjtën masë përfitojnë edhe shoqëruesit e të verbërve të grupit të parë, nevoja për të cilët përcaktohet nga Komisioni Mediko-social.
E drejta në përfitim material të verbërisë për personat e verbër, si dhe shoqëruesit e tyre realizohet nga dita e paraqitjes së kërkesës, nëse janë plotësuar kushtet dhe kriteret për realizimin e tyre të përcaktuara në Ligjin nr.04/L-092.
Shuma e pagesës për personat e verbër është 125 € në muaj si dhe 125 € për shoqëruesit e personave të verbër.
Në bazë të të dhënave të ASK-së, bëhet e ditur se në Komunën e Suharekës nga muaji janar ka shënuar rritje numri i personave të verbër që marrin kompensime nga kategoria e lartëcekur.
Në muajin tetor të vitit 2022 në Komunën e Suharekës kanë qenë 65 persona që kanë përfituar nga skema e kompensimeve për personat e verbër.
Ndërsa, në muajin shtator numri i personave që kanë përfituar nga skema e kompensimeve për personat e verbër ka qenë 66.
Muaji | Nr. i personave që përfitojnë nga skema e kompensimeve për personat e verbër në Komunën e Suharekës |
Janar | 56 |
Shkurt | 59 |
Mars | 61 |
Prill | 62 |
Maj | 63 |
Qershor | 61 |
Korrik | 65 |
Gusht | / |
Shtator | 66 |
Tetor | 65 |