Shtyhet gjykimi për vrasjen e 2016’s në Suharekë, gjykatësja mungon për shkaqe shëndetësore

24.09.2021

Në këtë rast, M.A po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit A.B më 6 tetor 2016. Së bashku me M.A, për këtë vrasje po akuzohen edhe R.B, F.F dhe R.A, raporton “Betimi për Drejtësi”. Për mungesën e gjykatëses Arjeta Gashi, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani bëri të ditur se e njëjta nuk mund […]

Shtyhet gjykimi për vrasjen e 2016’s në Suharekë, gjykatësja mungon për shkaqe shëndetësore Foto: Gjykata Themelore në Prizren

Në këtë rast, M.A po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit A.B më 6 tetor 2016.

Së bashku me M.A, për këtë vrasje po akuzohen edhe R.B, F.F dhe R.A, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mungesën e gjykatëses Arjeta Gashi, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani bëri të ditur se e njëjta nuk mund të paraqitet në seancë për shkaqe shëndetësore.

Në këto rrethana, seanca e sotme u anulua, ndërsa e radhës u caktua më 30 shtator 2021, raporton “Betimi për Drejtësi

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë M.Ad dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

R.B, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari F.F ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse i akuzuari tjetër, R.A, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon M.A dhe R.A se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin A.B, kurse R.B e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

F.F fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019 ishte ndryshuar aktakuza ndaj F.F, ashtu që të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit M.A dhe R.A, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën R.B, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari M.A, i shtyrë nga e akuzuara R.B, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit F.F, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se M.A e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër R.A dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi