Pastrimi i rrugëve në Suharekë, që një dekadë e implementon një operator ekonomik i vetëm

15.08.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe partnerët implementues YAHR, ISDY, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni, në kuadër të aktivitetit të USAID për komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse, kanë publikuar “Raportin e Monitorimit të Prokurimit”. Ky raport analitik pasqyron analizën e dymbëdhjetë tenderëve të shpallur ndërmjet janarit 2019 – qershor 2019 nga komunat e Prizrenit, Suharekës, […]

Pastrimi i rrugëve në Suharekë, që një dekadë e implementon një operator ekonomik i vetëm Foto: Ilustrim

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe partnerët implementues YAHR, ISDY, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni, në kuadër të aktivitetit të USAID për komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse, kanë publikuar “Raportin e Monitorimit të Prokurimit”.

Ky raport analitik pasqyron analizën e dymbëdhjetë tenderëve të shpallur ndërmjet janarit 2019 – qershor 2019 nga komunat e Prizrenit, Suharekës, Ferizajt, Lipjanit, Podujevës dhe Istogut.

Raporti tregon se përkundër investimeve që janë bërë për avancimin e proceseve të prokurimit publik në Kosovë, komunat vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në këtë aktivitet. Kjo analizë gjeti kontradikta midis dispozitave ligjore të Ligjit për Prokurimin Publik dhe Rregullave dhe Udhëzimeve Operative për Prokurimin Publik që kanë të bëjnë me afatet për parashtrimin e ankesave nga operatorët ekonomik.

Gjithashtu, raporti kishte gjetur se mungesa e udhëzimeve të mjaftueshme në legjislacionin aktual po lejon që kompanitë e papërgjegjshme, të dënuara më parë për korrupsion dhe shkelje të kushteve të kontratës, të jenë pjesë e prokurimit publik.

Për më tepër, analiza kishte gjetur se ka ende sfida në planifikimin e prokurimit, në adresimin e kritereve të duhura teknike dhe financiare, të cilat rrezikojnë performance të dobët të kontratës, çmime jonormalisht të ulëta, çmime të larta për shërbimet dhe rreziqet që lidhen me mos përmbushjen e kërkesave që rrjedhin nga të tjera ligje, siç është ligji i punës.

Për Komunën e Suharekës janë analizuar dy tenderë, atë për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatrat Bllace, Bukosh, Grejkoc, Reshtan, Studenqan dhe Samadraxhë, dhe tenderi për mirëmbajtjen dhe pastrimin e qytetit të Suharekës.

Studimi gjithashtu zbuloi mungesë të tregut adekuat, ku për kontratën për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, që prej një dekade e implementon një operaor ekonomik i vetëm, dhe nga bisedimet me operatorët e tjerë ekonomikë që kishin shkarkuar dosjet e tenderit por nuk kishin aplikuar, çmimi i këtyre shërbimeve është tejet i ulët për të investuar në makinerinë e nevojshme për implementimin e kontratës, andaj nuk paraqet interes për të tenderuar.

Në dy Dosjet e Tenderit kishte kërkuar vetëm një dokument të lëshuar nga Gjykata si dëshmi të përmbushjes së kërkesave të përshtatshmërisë sipas ligjit të prokurimit publik se kompania nuk ishte në proces të falimentimi apo pronarët ose udhëheqësit e saj të ishin shpallur fajtor për mashtrim nga një gjykatë kompetente.

Konsorciumi, kishte gjetur se Rregullat dhe Udhësuesi Operativ i Prokurimit Publik nuk jep udhëzime të mjaftueshme lidhur me përmbushjen të Nenit 65 të LPP-së, sipas të cilit ofertuesit duhet të prezantonin dy vërtetime, të cilat lëshohen nga dy gjykata të ndryshme, dhe trajtojnë dy situata të ndryshme gjithashtu.

Në mungesë të këtyre udhëzimeve, kompanitë kishin sjell vetëm vërtetimet për kërkesat lidhur me falimentim ndërsa jo edhe vërtetimin që operatori ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara ishte shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitetet e ngjashme.

Një shembull i mirë ishte vërejtur lidhur me respektimin e afateve ligjore për publikime dhe vlerësime. Në vazhdim, komuna kishte publikuar në e-prokurimi të gjitha dokumentet e kërkuara me ligj dhe kishte dhënë qasje në dokumentet e kërkuara brenda afateve kohore. Si dhe të dy proceset e tenderimit ishin zhvilluar pa ankesa nga palët e interesuara.

Kontrata për mirëmbajtjen dhe pastrimin e qytetit të Suharekës ka kohë që implementimet nga i njëjti operator ekonomik, Kompania Rajonale “Ekoregjioni”. Edhe pse ky është një tender i vlerës së madhe, prej 145,000.00 Euro për 12 muaj dhe dosja e tenderit ishte shkaktuar 30 herë, në përgjigje të kësaj thirrje kishte aplikuar një kompani e vetme.

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ekoregjioni “ SH.A. kishte ofertuar në shumën prej 136,295.01 Euro, dhe kjo ofertë ishte vlerësuar si e përgjegjshme nga Komisioni vlerësues.

Për këtë tender nuk kishte pasur ankesa as në fazën e tenderimit dhe as në atë të vlerësimit lidhur me specifikat apo vendimin e komunës. Konsorciumi kishte kontaktuar me disa nga kompanitë të cilët kishin shkarkuar dosjen për të pyetur se përse nuk kishin aplikuar për këtë tender.

Përgjigjet e pranuar pothuajse ishin të njëjta: Këtë kontratë ka kohë që e realizon “Ekoregjioni” të cilët posedojnë me makinerinë e nevojshme dhe investimet për të hyrë në treg ishin tejet të mëdha kundrejt vlerës së kontratës, andaj nuk e shihnin të interesit për të tenderuar.