Ngjarjet e javës së kaluar në Komunën e Suharekës

28.12.2020

Javën që lam pas Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhuruar 21 laptop për shtatë shkolla të Komunës së Suharekës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës më 22 dhjetor ka dhuruar 21 laptop për shtatë shkolla të Komunës së Suharekës të cilët i ka pranuar Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani e që do të […]

Ngjarjet e javës së kaluar në Komunën e Suharekës Foto: Ilustrim

Javën që lam pas Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhuruar 21 laptop për shtatë shkolla të Komunës së Suharekës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës më 22 dhjetor ka dhuruar 21 laptop për shtatë shkolla të Komunës së Suharekës të cilët i ka pranuar Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani e që do të dorëzohen në këto shkolla: SHFMU “7 Marsi” në Suharekë, SHFMU ’’Edit Durham” në Mushtishtë, SHFMU “Dëshmorët e Greikocit” në Greikoc, SHFMU “Kongresi i Manastirit” në Studençan, SHFMU “Dituria” në Samadrexhë, SHFMU “Destan Bajraktari” në Suharekë si dhe SHFMU “Vaso Pashë Shkodrani” në Leshan.

Vendimet nga mbledhja e Asamblesë Komunale

Komuna e Suharekës javën e kaluar, kishte mbajtur mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale për këtë vit ku ka votuar propozimin e Partisë Demokratike në Suharekë e cila kishte kërkuar nga komuna që të gjithë personat e prekur nga COVID-19 të ndihmohen me nga 50 euro, mirëpo Komuna e Suharekës e ka rritur shumën në 100 euro për person dhe nga 200 euro për familjët e viktimave nga COVID-19.

Gjithashtu në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale, kryetari i komunës, Bali Muharremaj kishte propozuar që Qendra Kryesore e Mjeksisë Familjare (QKMF) të mbajë emrin e ish-nënkryetarit të Komunës së Suharekës, Rexhep Kuqi.

Këtë propozim i pari i komunës e ka mbështetur në kontributin e madh që ka dhënë Kuçi për shumë dekada ku përveç në Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë”, ai pati angazhim të madh edhe në HANDIKOS, duke krijuar dhe ndërtuar një kulturë që secili aktivitet të respektonte edhe personat me nevoja të veçanta.

E në këtë mbledhje nuk kishin munguar as shqetësimet e asambleistëve të cilat u diskutuan ku edhe u kërkua që të merren masat e nevojshme nga drejtoritë përkatëse.

Asambleisti i pavarur, Bashkim Ndrecaj kishte shprehur shqetësimet e tij ku kishte thënë se nga shumë informata që ka pranuar nga qytetarët të cilët i kanë thënë se bombolat e oksigjenit që janë pronë e QKMF-së u jepen pacientëve që po trajtohen nëpër shtëpitë e tyre me pagesë në shumën prej 20€ në 24 orë si dhe infuzionet merren nga ambulanta dhe ju shiten pacientëve.

Mirëpo, ky nuk ishte shqetësimi i tij i vetëm, ai gjithashtu kishte thënë se është i shqetësuar se si nxënësit që kryejnë praktikë në QKMF 15-16 vjeçare u kërkohet të dalin në dreka dhe darka për me u’a shkru orët e praktikës.

Njëherit Ndrecaj ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me drejtorinë për ti faktuar ato që i ka përmendur gjatë asamblesë.

Rastet e javës së kaluar të konfirmuara nga Policia e Suharekës

Rastet e përleshjes kishin dominuar këtë javë në Komunën e Suharekës, ku brenda një jave kishin ndodhur tri të tilla.

Policia e Suharekës kishte raportuar se më 22 dhjetor në Komunën e Suharekës pas një mosmarrveshje ishin rrahur mes vete 6 persona ( 3 të dyshuar dhe 3 viktima), ku si pasojë ishin lënduar 4 persona, të cilët kishin pranuar tretmanin mjeksor.

Ngjarje e njejtë kishte ndodhur edhe më datë 26 dhjetor ku policia kishte bërë të ditur se pas një mosmarrveshje ishin përleshur 5 persona, ku si pasojë ishte lënduar njëri prej tyre e i cili më pastaj kishte pranuar tretmanin mjeksor.

Ndërsa gjatë ditës së dielë, në Komunën e Suharekës 7 persona ishim përleshur ku siç mëson SuharekaOnline përleshja kishte ndodhur për arsye të ulëta.

Në vendin e ngjarjes Policia e Suharekës kishte gjetur dhe konfiskuar një revole e llojit SIX SAVER e kalibrit 9 mm dhe për momentin nuk dihet se kush e ka përdorur armën dhe cili është pronari i saj.  

Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë(7) te dyshuar meshkuj kosovarë. Me vendim  të prokurorit kujdestar të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Gjithashtu, një rast i rëndë ishte raportuar të shtunën ku policia kishte bërë të ditur se një person nga fshati Sopijë me inicialet N.B ishte gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.

Vdekjen e personit në fjalë e kishte konstatuar mjeku dhe nga policia rasti ishte cilësuar si ”vdekje e dyshimtë”./SuharekaOnline/

Gazetare, Eurolinda Zenelaj