Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, peng i ankesave të operatorëve dhe mungesës së bordit të OSHP-së

30.01.2022

Sipas dosjes së tenderit faza e II-të e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, Komunës së Suharekës parashihej ti kushtonte 2.6 milion euro dhe punimet duhej të kryheshin brenda 24 muajve duke përfshirë ato të betonimit, armirimit, muratimit dhe suvatimit, llamarinës, izolimit, qeramikës, instalimeve elektrike, instalimeve mekanike, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimit. Por që nga ajo […]

Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës, peng i ankesave të operatorëve dhe mungesës së bordit të OSHP-së Foto: Ilustrim

Sipas dosjes së tenderit faza e II-të e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, Komunës së Suharekës parashihej ti kushtonte 2.6 milion euro dhe punimet duhej të kryheshin brenda 24 muajve duke përfshirë ato të betonimit, armirimit, muratimit dhe suvatimit, llamarinës, izolimit, qeramikës, instalimeve elektrike, instalimeve mekanike, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Por që nga ajo kohë procedurat tenderuese për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” faza II-të janë përcjellur me ankesa të operatorëve ekonomik në OSHP me ç’rast ky tender është pezulluar dhe kthyer në rivlerësim.

Rrjedhimisht që nga 1 shtatori 2020 ky tender dy herë është kthyer në rivlerësim(3 nëntor 2020 dhe 8 mars 2021) dhe një herë është pezulluar më 6 nëntor 2020.

Më 8 mars 2021 Komuna e Suharekës kishte shpallur fitues të tenderit OE ADA Consulting Group, por edhe këtë herë ky vendim i autoritetit kontraktues është përcjellur me ankesa në OSHP nga ana e operatorëve të tjerë ekonomikë.

Kjo kontratë ka rreth dhjetë muaj që ka ngecur në OSHP, ku në mungesë të bordit të gjykatës së tenderëve, afati ligjor i ankesës ka skaduar.

Mandati i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar më 30 mars 2021, i cili kishte një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje. Si rezultat që nga data 31 mars 2021, nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomikë ndaj vendimeve të autoriteteve kontraktuese në lidhje me aktivitetet e prokurimit. 

Kuvendi i Kosovës edhe në seancën e 6 dhjetorit 2021 kishte dështuar të votojë bordin e ri të OSHP-së, ku me 2 vota për, 64 kundër dhe 1 abstenim, nuk arriti të emërojë kryetarin dhe 4 anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kjo pikë nuk kishte arritur të kalojë as më 23 nëntor si shkak i mungesës së kuorumit.

Qindra tenderë janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit që nga 1 prilli kur ky institucion nuk ka bord funksional për t’i shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomik.