Nderohen Ilir Llapatinca nga Suhareka dhe 20 policë të tjerë të rënë në detyrë

26.07.2022

Në këtë ditë u nderuan 21 zyrtarë policorë që ndër vite humbën jetën në krye të detyrës. Me rastin e shënimit të kësaj dite, është bërë vendosja e kurorave te Lapidarët e heronjve – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës. Kjo ceremoni memoriale është mbajtur në Stacionin policor “Qendra” në Prishtinë. Ceremonia memoriale përfundoi […]

Nderohen Ilir Llapatinca nga Suhareka dhe 20 policë të tjerë të rënë në detyrë Foto: Ilustrim

Në këtë ditë u nderuan 21 zyrtarë policorë që ndër vite humbën jetën në krye të detyrës.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, është bërë vendosja e kurorave te Lapidarët e heronjve – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës. Kjo ceremoni memoriale është mbajtur në Stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

Ceremonia memoriale përfundoi me parakalimin e gardës dhe njësiteve të Policisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku tha se këta policë ranë në krye të detyrës duke luftuar krimin e duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

“Sot po shënojmë 22 vite të themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit bosht të Kosovës. Në këtë rrugëtim, 21 policë të Kosovës kanë rënë në kryerje të detyrës, ata janë heronj të sundimit të ligjit, demokracisë dhe paqes në Kosovë”, u shpreh ai.

Po ashtu, Konjufca ka përmendur edhe policin Enver Zymberi, i cili ra në veri të Kosovës gjatë kryerjes së detyrës.

“Ai dha jetën në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës”.

Gjithashtu, në ceremoninë memoriale mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai para zyrtarëve policorë është zotuar se në Qeverinë Kurti, vlera dhe fuqia e policëve do të rritet para popullit, ndërsa profesionalizmi i tyre do të marrë shpërblim.

Ministri Sveçla kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë shpejt për zbardhjen e vrasjes së heroit Enver Zymberi dhe të tjerëve, pasi theksoi se “kriminelët duhet të sillen para drejtësisë”.

“Në rolin tim si ministër i Brendshëm e shoh policinë si pjesë integrale të shoqërisë dhe jo si përfaqësuesin e dhunës shtetërore. Vetëm në këtë vizon, policia jonë do të jetë institucioni më dinjitoz i shtetit. Policia ka për qëllim të mbrojë së brendshmi shtetin, ndaj edhe drejtësia duhet të marrë seriozisht e policisë. Ndërsa nga ana e vet, shoqëria duhet të vendos tërë peshën e dinjitetit në figurën e zyrtarit të policisë. Prandaj edhe sot e kemi obligim që të bëjmë thirrje që organet e drejtësisë në bashkëveprim me ju, zyrtarët policor të veprojnë shpejtë dhe drejtë për zbardhjen e vrasjes së Enverit dhe gjithë të tjerët dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë”, theksoi ai.

Ndërkaq, fjalën e mori edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ku deklaroi se vepra e këtyre zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, do të respektohet gjithmonë, e kjo në piedestalin më të lartë.

I pari i Policisë u ka bërë thirrje zyrtarëve policorë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm.

Ai tha se jemi të vetëdijshëm që puna policore nuk është e zakonshme. Përballja me krimin është përballja me njerëzit që i keqtrajtojnë viktimat.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në krye të detyrës kanë rënë: Ilir Llapatinca nga fshati Tërrnje e Komunës së Suharekës, Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanoviq, Musin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj dhe Sami Thaqi.