Mungesa e bordit të OSHP-së paraqet rrezik në realizimin e 5 projekteve në Suharekë

08.06.2021

Mandati i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar më 30 mars 2021, i cili kishte një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje. Si rezultat që nga data 31 mars 2021, nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomikë ndaj vendimeve të autoriteteve kontraktuese në lidhje me aktivitetet e prokurimit.  […]

Mungesa e bordit të OSHP-së paraqet rrezik në realizimin e 5 projekteve në Suharekë Foto: Ilustrim

Mandati i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka skaduar më 30 mars 2021, i cili kishte një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje. Si rezultat që nga data 31 mars 2021, nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomikë ndaj vendimeve të autoriteteve kontraktuese në lidhje me aktivitetet e prokurimit. 

Andaj ekziston rreziku që autoritetet kontraktuese mund ta keqpërdorin këtë situatë për të nënshkruar kontrata të dëmshme ose për të favorizuar kompani të caktuara me shpresën se OSHP do të veprojë njëjtë si në të kaluarën pasi të emërohet bordi i ri, pra të mos shqyrtojë fare ankesat që kanë ardhur pas datës 30 mars.

Kësisoj për Komunën e Suharekës që nga përfundimi mandatit të bordit të OSHP-së janë dorëzuar 5 ankesa të cilat janë në pritje të shqyrtimit deri në zgjedhjen e bordit të ri:

  1. Ndërtimi i shtëpisë së kulturës Ukë Bytyqi – Faza e dytë,
  2. Krijimi i hapësirave gjelbëruese në Komunë,
  3. Trajtimi i qenëve endacak,
  4. Rregullimi i parqeve rekreative sportive në Sopijë, Gelancë, Studençan dhe Komunë
  5. Ndërtim i rrugëve Sadri Shasha, Sadik Sejda, Haki Sokoli, Ali R. Bytyqi, Minatori, Jemin Jemini, Bajram Kurti në Mushtishtë

Për secilën nga pesë ankesat e lartpërmendura ende nuk është caktuar asnjë seancë dhe vetëm është njoftuar autoriteti kontraktues për ankesën që është bërë në emër të tij, ku si rrjedhojë operatorët ekonomik ankues nuk do të mund të kenë një vendim përfundimtar lidhur me të drejtën e tyre për ankimim, kurse autoritetet kontraktuese (AK-të) nuk do të mund të realizojnë projektet e tyre të rëndësishme e posaçërisht ato projekte të cilat nuk durojnë shtyrje posaçërisht për projekte kur është në pyetje edhe interesi publik dhe rrezikimi i shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shkruan SuharekaOnline.

Një situatë e tillë ka ndodhur edhe më herët, më saktë gjatë periudhës korrik 2013 – mars 2014, ku për rreth 7 muaj nuk janë shqyrtuar fare ankesat në mungesë të anëtarëve të bordit të OSHP-së.

Më 27 mars 2014 bordi i ri i OSHP-së kishte refuzuar shqyrtimin e ankesave që ishin grumbulluar për këto 7 muaj me arsyen se ka kaluar afati ligjor prej 34 ditësh për të marrë vendim.

Ekziston një rrezik i madh që situata e njëjtë të përsëriten, ku operatorëve ekonomik ju mohohet e drejta për tu ankuar jo për faj të tyre.