Muharremaj insiston në kërkesën për lejimin e ekskurzioneve, mbrëmjeve të maturës dhe dasmave

18.06.2021

I ftuar në emisionin e mëngjesit në Kanal10, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur lidhur me situatën epidemiologjike në Suharekë. Muharremaj ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit në Komunën e Suharekës po vazhdon pa asnjë pengesë dhe pa pritje të qytetarëve ku deri më tani janë vaksinuar mbi 11 mijë […]

Muharremaj insiston në kërkesën për lejimin  e ekskurzioneve, mbrëmjeve të maturës dhe dasmave Foto: Ilustrim

I ftuar në emisionin e mëngjesit në Kanal10, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur lidhur me situatën epidemiologjike në Suharekë.

Muharremaj ka bërë të ditur se procesi i vaksinimit në Komunën e Suharekës po vazhdon pa asnjë pengesë dhe pa pritje të qytetarëve ku deri më tani janë vaksinuar mbi 11 mijë qytetarë dhe se po punohet në dy ndërrime.

Gjithashtu i pari i Suharekës ka treguar se në dispozicion kanë vetëm edhe 500 doza të vaksinës dhe sipas furnizimit nga Ministria e Shëndetësisë procesi do të vazhdojë pa asnjë problem. Ndërsa lidhur me problemet që janë në këtë fushë, ai ka bërë të ditur se mos furnizimi me insulinë nga ana e ministrisë vazhdon të jetë shqetësues.

Ndër tjera Muharremaj ka insistuar prapë që të lejohet organizimi i ekskurzioneve, mbrëmjeve të maturës dhe dasmave dhe kjo përmes një manuali të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Përderisa çdo ditë deri në 15 mijë qytetarë udhëtojnë në Shqipëri për pushim, nuk e shoh të arsyeshme të mos lejohen edhe ekskurzionet” ka shtuar Muharremaj, shkruan SuharekaOnline.

Madje këtë kërkesë ai ka thënë se e ka bërë edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës duke treguar se të dëmtuar janë edhe bizneset e sallave të dasmave.