Mbi 200 maturantë të Suharekës sot i nënshtrohen Provimit të Maturës Shtetërore

28.08.2021

Sot do të mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore. Sipas njoftimit të MASHTI-t, në afatin e dytë, testimit do t’i nënshtrohen rreth 7 mijë në 68 qendra të testimit. Ndërsa, bëhet e ditur se duke pasur parasysh situatën me pandeminë, në çdo klasë do të sistemohen nga 15 nxënës, teksa kërkohet që […]

Mbi 200 maturantë të Suharekës sot i nënshtrohen Provimit të Maturës Shtetërore Foto: Ilustrim

Sot do të mbahet afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore. Sipas njoftimit të MASHTI-t, në afatin e dytë, testimit do t’i nënshtrohen rreth 7 mijë në 68 qendra të testimit.

Ndërsa, bëhet e ditur se duke pasur parasysh situatën me pandeminë, në çdo klasë do të sistemohen nga 15 nxënës, teksa kërkohet që të respektohen masat kundër COVID-19.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftim.

Në një prononcim për SuharekaOnline, drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani ka bërë të ditur se afati i dytë i Testit të Maturës në Suharekë do të zhvillohet në dy qendra: Shkolla e Mesme Teknike “Skender Luarasi” dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Abdyl Ramaj”.

Më tutje Bajselmani ka bërë të ditur se Testin e Maturës e kanë paraqitur 203 maturantë të Komunës së Suharekës.

Ky test në Komunën e Suharekës do të monitorohet nga 25 administrues, ku këta administrues janë profesorë nga Prizreni.

Ndërsa drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani për SuharekaOnline ka bërë të ditur se 55 administures të komunës sonë do të shkojnë në shkollat e Prizrenit.

Gjithashtu, Bajselmani ka thënë se tashmë janë caktuar edhe udhëheqësit e qendrave, duke shtuar se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) i ka bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të zhvillohet sa më mirë.

“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Po ashtu, është bërë e ditur se rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më 8 shtator.