Mbesin edhe dy vatra të zjarrit aktive në Suharekë

04.08.2021

Në disa lokacione në Komunën e Suharekës zjarri ka shpërthyer që disa ditë. Disa vendbanime të Komunës së Suharekës janë përballur me zjarre të mëdha. Zjarri i madh dhe numri i vogël i zjarrfikësve ka bërë që në disa raste situata të ishte vështirë e menaxhueshme. E për situatën e krijuar ka folur edhe drejtori […]

Mbesin edhe dy vatra të zjarrit aktive në Suharekë Foto: Ilustrim

Në disa lokacione në Komunën e Suharekës zjarri ka shpërthyer që disa ditë.

Disa vendbanime të Komunës së Suharekës janë përballur me zjarre të mëdha.

Zjarri i madh dhe numri i vogël i zjarrfikësve ka bërë që në disa raste situata të ishte vështirë e menaxhueshme.

E për situatën e krijuar ka folur edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Mjedis dhe Emergjencë në Komunën e Suharekës, Enver Shabani.

Drejtori Shabani ka theksuar se temperaturat e larta si dhe erërat kanë shkaktuar dëme si në fusha ashtu edhe në male.

Madje këto zjarre kanë djeguar edhe një shtëpi të vjetër e të pa banuar në fshatin Vraniq.

Po ashtu ai në emisionin SOT në KTV ka thënë se dëme ka edhe në kulturat bujqësore.

“Janë aktivizuar të gjithë për të shuar zjarrin. Ka pas zjarrfikës nga shumë komuna, kompani private, e qytetarë. Tashmë kemi dy vatra të zjarrit aktive. Ne sot jemi në ditën e katër të shuarjes së zjarrit.

Fshati Reshtan, Studençan, Bukosh, Gjinoc e Reçan kanë qenë ndër fshatrat e prekur nga zjarret. Numri i zjarrfikësve është 13 dhe janë gjithmonë aktiv. Nga sot kemi aktivizuar edhe katër zjarrfikës sezonal”, ka thënë ai.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka bërë të ditur se katër zjarrfikës të rinjë do të jenë shtesë me pagesë për tre muaj.

Ndërsa nga 50 euro shtesë do të jetë pagesa për tre muajt e ardhshëm, për zjarrfikësit të cilët aktualisht janë në krye të detyrës.