Mbahet seanca fillestare kundër dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për keqpërdorim të pozitës

08.06.2021

Më 20 prill Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve në Komunën e Suharekës të pandehurve Jehona Rrafshi dhe Hafir Maliqaj nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ashtu siç edhe ka raportuar SuharekaOnline të hënën është mbajtur seanca fillestare ndaj […]

Mbahet seanca fillestare kundër dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për keqpërdorim të pozitës Foto: Ilustrim

Më 20 prill Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve në Komunën e Suharekës të pandehurve Jehona Rrafshi dhe Hafir Maliqaj nën dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ashtu siç edhe ka raportuar SuharekaOnline të hënën është mbajtur seanca fillestare ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjatë kësaj seance pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar pretendimet e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore.

Në një prononcim për SuharekaOnline zyrtari për informim në Gjykatën Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka bërë të ditur se seanca tjetër është caktuar për datën 13 korrik, ku deri atëherë palët kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për kundërshtim të aktakuzës dhe hudhjen e saj.

Ndryshe sipas aktakuzës, J. Rr.-L. në cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, jashtë kompetencave të saj, nxjerrë Konkluzionin 09 Nr.109, të dt. 26.05.2020 dhe pastaj me dt. 29.05.2020, në vendngjarje, në parcelat kadastrale të të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e Konkluzionit nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje dhe kësi soji i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat të dëmtuarës.

Ndërsa i akuzuari H. M. në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist i ndërtuar nga investitori B. G. në pronën e të dëmtuarës “AgroKosova–Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një Urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, pasi kishte përfunduar tashmë ndërtimi, me këto veprime të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material ose i ka shkelur të drejtat e saja.

Poashtu, H. M. akuzohet se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të lëshuar nga vetë ai, që obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan-Komuna e Suharekës të pajisej me leje ndërtimi në afat prej 15 ditësh, duke mos e penguar të njëjtin ta vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm,  poashtu del me vonesë në vend të ngjarjes, nuk vepron sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por sërish i jep afat shtesë investitorit, kësaj here më të gjatë se 30 ditë, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës”, njofton Prokuroria.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.