Konjufca homazhe në Bukosh: Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për të rënët

03.05.2021

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe të hënën e tre majit në fshatin Bukosh të Suharekës, nga ku tha se nuk do të reshtin së kërkuari drejtësi për të gjitha amsakrat e kryera në vend. Konjufca në prani të familjarëve të të rënëve theksoi se martirët dhe dëshmorët do të nderohen […]

Konjufca homazhe në Bukosh: Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për të rënët Foto: Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe të hënën e tre majit në fshatin Bukosh të Suharekës, nga ku tha se nuk do të reshtin së kërkuari drejtësi për të gjitha amsakrat e kryera në vend.

Konjufca në prani të familjarëve të të rënëve theksoi se martirët dhe dëshmorët do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë.

“Martirët dhe dëshmorët kanë rënë që këta fëmijë, që po shoh sot këtu, të jetojnë të lirë. Secili zyrtar institucional, që e përfaqëson shtetin e Kosovës, duhet ta ketë obligim që prej mëngjesit deri në fund të ditës të kërkojë drejtësi. Se dhimbja nuk do të kalojë kurrë, por edhe martirët nuk mund të prehen të qetë nëse kriminelët vazhdojnë të jenë të lirë. Duhet të ketë drejtësi për familjet e juaja, sepse keni dhënë më të dashurit për lirinë e Kosovës”, pohoi kryekuvendari Konjufca.

Në oborrin e shkollës së fshatit Bukosh, më 3 maj të vitit 1999, policia serbe kishte vrarë dhe masakruar 25 shqiptarë të këtij fshati dhe fshatrave tjera të komunës së Suharekës.

Pas homazheve në Bukosh, Konjufca bëri homazhe edhe te shtatorja e heroit Besim Ndreca, në Suharekë, në 26 vjetorin e rënies së tij heroike.

Me këtë rast ai tha se akti heroik i Besim Ndrecës, më 3 maj të vitit 1995, është frymëzim për ngjarjet e mëvonshme, si protestat e studentëve dhe rreshtimi i shumë të rinjve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo tregon se populli shqiptar historikisht nuk është dorëzuar dhe ia ka kthyer pushkën okupatorit serb, duke dhënë edhe gjënë më të shtrenjtë siç është jeta”, përfundoi Konjufca.