Gjatë vitit 2022 në Policinë e Suharekës janë raportuar 60 raste të dhunës në familje
- 30.01.2023

Vitin që lamë pas, dhuna në familje e sidomos dhuna ndaj grave, ishte në qendër të vëmendjes për shkak të rasteve të shumta, ku disa prej tyre përfunduan me fatalitet.
Rastet e dhunës në familje përveç se janë shqetësuese për shoqërinë ato janë edhe sfidë për institucionet e vendit, raste të tilla përgjatë vitit 2022 fatkeqësisht janë raportuar edhe në Stacionin Policor në Suharekë.
Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj në një prononcim për SuharekaOnline ka treguar se edhe në Stacionin Policor në Suharekë gjatë vitit 2022 kanë trajtuar raste dhe kanë arrestuar persona të dyshuar për dhunë në familje.
Sylaj ka treguar se gjatë vitit paraprak në stacionin që ai drejton janë raportuar 60 raste të dhunës në familje.
Sipas të dhënave që posedon SuharekaOnline numri i rasteve të dhunës në familje në Komunën e Suharekës përgjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021 ka shënuar rërnie, ne rikujtojmë se gjatë vitit 2021 në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar 65 raste të tilla.
Mirëpo, krahasuar me vitin 2020, sipas të dhënave, në Policinë e Suharekës ishin regjistruar vetëm 51 raste të dhunës në familje, rezulton se në dy vitet e fundit numri i këtyre rasteve ka shënuar një rritje të dukshme.
Ndërsa, vitin që lam pas (2022) sipas raporteve të institucioneve përkatëse në Kosovë janë regjistruar mbi 2 mijë e 55 të dhunës kundër grave.