COVID-19 në Suharekë, 362 raste aktive dhe 57 viktima

25.02.2021

Në takimin për siguri lokale në Komunën e Suharekës, që u mbajt sot, nënkryetarja e komunës Mihrije Suka, ka njoftuar për aktivitetet që kanë ndodhur gjatë dy javëve që i lamë pas. Gjendja e sigurisë në komunë u vlerësua e qetë dhe e sigurt sot në takimin e radhës për koordinim lokal të sigurisë. Nënkryetarja […]

COVID-19 në Suharekë, 362 raste aktive dhe 57 viktima Foto: Ilustrim

Në takimin për siguri lokale në Komunën e Suharekës, që u mbajt sot, nënkryetarja e komunës Mihrije Suka, ka njoftuar për aktivitetet që kanë ndodhur gjatë dy javëve që i lamë pas.

Gjendja e sigurisë në komunë u vlerësua e qetë dhe e sigurt sot në takimin e radhës për koordinim lokal të sigurisë.

Nënkryetarja e Komunës së Suharekës në këtë takim ndër tjerash ka njoftuar edhe për situatën pandemike në komunën tonë.

Suka ka bërë të ditur se që nga muaji mars i vitit të kaluar kur edhe u regjistruan rastet e para me COVID-19 në Kosovë, deri më tani në Komunën e Suharekës janë regjistruar 1151 raste pozitive, prej të cilave 732 janë shëruar.

Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka gjithashtu ka treguar se nga virusi COVID-19 deri më tani në komunën tonë janë regjistruar 57 viktima të moshave të ndryshme dhe 362 raste me këtë virus janë aktive, shkruan SuharekaOnline.

Ndërsa, vetëm gjatë ditës së mërkurë në Komunën e Suharekës janë identifikuar 3 raste të reja me COVID-19 në vendbanimet si: Bllacë, Studençan dhe Tërrnje.

Rikujtojmë se Komuna e Suharekës në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht bënë pjesë në zonën e gjelbër.