Brenda tre muaje në Suharekë, një vetvrasje dhe dy tentime të tilla

09.10.2021

Në çdo takim të sigurisë lokale që mbahet me nënkryetaren e Komunës së Suharekës, përfaqësuesve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës pothuajse çdo herë është prezent numri i rasteve të tentim vetvrasjes si dhe vetvrasjeve. Shqetësuese një gjë e tillë mbetet edhe në nivel vendi, ku brenda shtatë mujave të parë të këtij viti sipas […]

Brenda tre muaje në Suharekë, një vetvrasje dhe dy tentime të tilla Foto: Ilustrim

Në çdo takim të sigurisë lokale që mbahet me nënkryetaren e Komunës së Suharekës, përfaqësuesve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës pothuajse çdo herë është prezent numri i rasteve të tentim vetvrasjes si dhe vetvrasjeve.

Shqetësuese një gjë e tillë mbetet edhe në nivel vendi, ku brenda shtatë mujave të parë të këtij viti sipas të dhënave të Policisë së Kosovës kanë ndodhur 30 vetvrasje.

SuharekaOnline ka grumbulluar statistikat e rasteve të tentim vetvrasjes si dhe vetvrasjes të cilat kanë ndodhur këtë vit në periudhën Korrik – Shtator.

Sipas këtyre statistikave, bëhet e ditur se brenda këtyre tre muajve në Suharekë, ka ndodhur një vetvrasje dhe dy tentime të tilla.

MuajiNr. i vetvrasjeve në Komunën e SuharekësNr. i tentim vetvrasjeve në Komunën e Suharekës
Korrik 202111
Gusht 202100
Shtator 202101

Sipas ekspertëve angazhimi i institucioneve për parandalimin e kësaj dukurie duhet të shtohet.

Disa prej mënyrave që do të ndikonin në uljen e numrit të vetvrasjeve dhe tentim-vetvrasjeve sipas ekspertëve shëndetësorë janë fushatat dhe kampanjat sensibilizuese, diaologu social dhe mënjanimi i stigmës për shëndetin mendor.

Ndërsa, për këto lloj probleme, si në vendet e botës që ekziston një “linjë jete” ku qytetarët kanë mundësi t’u drejtohen për të folur rreth problemeve të tyre në kushte anonimiteti, por për një kohë të gjatë një gjë e tillë në Kosovë ka munguar, por tashmë që nga nëntori i vitit 2019 është hapur një linjë e tillë, linjë kjo e cila merret me njerëzit që kanë mendime për vetvrasje apo edhe kanë nevojë të bisedojnë me dikë.

Dorentina Podrimqaku, menaxhere e projektit në “Linjën e Jetës” tregon aktivitetet që i kanë ndërmarr në muajin që i dedikohet parandalimit të vetëvrasjes.

“Ne gjatë tërë kohës jemi duke bërë edhe trajnime të ndryshme, edhe kampanja të ndryshme përmes rrjeteve tona sociale ku njerëzit munden me e vërejt mënyra qysh me u kujdes për vetën, mënyra se si me u kujdes edhe për tjetrin.

Ajo thotë se komunikimi dhe largimi i stigmës lidhur me shëndetin mendor është veprim kyç për ndihmën e personave me probleme të shëndetit mendor.

“…ne kemi filluar punën në nëntor të vitit 2019 dhe nga një staf prej 15 personave jemi rritur, prej 66 personave që mundohemi me bë parandalimin e vetëvrasjes. Kjo linjë mundëson që të gjithë personat me telefonuar dhe me biseduar me dikën, ku kemi dashur që me ekzistuar një vend ku mund të bisedojnë lirshëm për problemet e tyre, duke pasur parasysh se sa e madhe është stigma këtu në Kosovë për shëndetin mendor”, tha ajo.

Ajo thekson se Qeveria dhe institucionet duhet të kenë plane strategjike dhe të punojnë më shumë në këtë drejtim.

“Ne gjithmonë kemi pasur probleme të shëndetit mendor, jo vetëm në Kosovë por kudo por pandemia i ka vendos edhe më shumë në pah, dhe poashtu ka tregu se sa e rëndësishme është që Qeveria dhe institucionet me u kujdes me plane strategjike për shëndetin mendor. Është shumë e rëndësishme që krejt ne të bëjmë diçka më shumë rreth shëndetit mendor”.

Si shumë problematike çështjen e vetëvrasjeve dhe situatën e rënduar të këtyre personave po e sheh edhe psikologu Petrit Thaçi.

Madje sipas tij, pandemia e theu rutinën e përgjithshme të shoqërisë dhe krijoi ndjenja të frikës dhe dështimit.

“Nëse shohim nga konteksti i përgjithshëm i faktorëve të shumtë që janë shkaktarë të dukurisë së vetëvrasjes ose së ideve apo tentativave të vetëvrasjes, ku ndër ta bëjnë pjesë shumë fuqishëm edhe dhuna në familje edhe aspektet ekonomike si çështja e punësimit dhe aspektet sociale. Nga krejt kjo pandemia ka vënë në pikëpyetje të gjitha këto, jetën sociale atë ekonomike dhe prezencën e të dashurve tanë duke rrënuar shumë lidhje emocionale”.

Tutje Thaçi theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen mekanizma institucional dhe ligjor në mënyrë që sa më shpejtë të trajtohen rastet të tilla.