Kontrata për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në OSHP, rrezikohet që mjetet të shkojnë në suficit

18.08.2021

Tetë tenderë kanë mbetur të pezulluar në Komunën e Suharekës pasi që bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk është funksional për t’i shqyrtuar ankesat e bizneseve. Mandati pesë vjeçar i këtij organi ka skaduar më 30 mars 2021, ku si rezultat nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomik ndaj vendimeve të […]

Kontrata për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në OSHP, rrezikohet që mjetet të shkojnë në suficit Foto: Ilustrim


Tetë tenderë kanë mbetur të pezulluar në Komunën e Suharekës pasi që bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk është funksional për t’i shqyrtuar ankesat e bizneseve.

Mandati pesë vjeçar i këtij organi ka skaduar më 30 mars 2021, ku si rezultat nuk do të mund të shqyrtohen ankesat e operatorëve ekonomik ndaj vendimeve të autoriteteve kontraktuese në lidhje me aktivitetet e prokurimit.

Për Komunën e Suharekës që nga përfundimi i mandatit të bordit të OSHP-së janë dorëzuar 8 ankesa, ku 6 prej tyre u ka skaduar afati ligjor.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës mos emërimi i bordit ndikon në zhvillimin ekonomik të komunave, pasi që disa mjete financiare nuk do të shpenzohen por do të shkojnë në suficit buxhetor (tejkalimin e te hyrave ne krahasim me shpenzimet publike).

Një prej aktiviteteve të prokurimit që ka përfunduar në OSHP është edhe ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” faza II-të, i cili kap vlerën investive prej 2.6 milionë euro.

Kjo kontratë ka tetë muaj që ka ngecur në OSHP, mirëpo në mungesë të bordit të gjykatës së tenderëve, afati ligjor i ankesës ka skaduar.

Ditë më parë SuharekaOnline ka raportuar se për gjashtë nga tetë ankesat e dorëzuara në OSHP afati ligjor ka skaduar:
1. Ndërtimi i shtëpisë së kulturës Ukë Bytyqi – Faza e dytë,
2. Krijimi i hapësirave gjelbëruese në Komunë,
3. Trajtimi i qenëve endacak,
4. Rregullimi i parqeve rekreative sportive në Sopijë, Gelancë, Studençan dhe Komunë
5. Ndërtim i rrugëve Sadri Shasha, Sadik Sejda, Haki Sokoli, Ali R. Bytyqi, Minatori, Jemin Jemini, Bajram Kurti në Mushtishtë
6. Blerja e pajisjeve dhe montimi i sistemit të menaxhimit të radhës si dhe shenjave sinjalizuese digjitale