10 ditët e para të muajit mars – Çfarë ndodhi në Suharekë

10.03.2021

10 ditët e para të muajit të tretë të vitit 2021, sikur ditët e muajve paraprakë kanë qenë të ngarkuara me ngjarje nga më të ndryshmet. Këto 10 ditë kanë qenë në përgjithësi të qeta për Komunën e Suharekës. Çfarë u raportua brenda këtyre 10 ditëve në Policinë e Kosovës në Suharekë? Policia e Kosovës […]

10 ditët e para të muajit mars – Çfarë ndodhi në Suharekë Foto: Ilustrim

10 ditët e para të muajit të tretë të vitit 2021, sikur ditët e muajve paraprakë kanë qenë të ngarkuara me ngjarje nga më të ndryshmet.

Këto 10 ditë kanë qenë në përgjithësi të qeta për Komunën e Suharekës.

Çfarë u raportua brenda këtyre 10 ditëve në Policinë e Kosovës në Suharekë?

Policia e Kosovës më 02 mars të këtij viti kishte njoftuar se ka pranuar informatë për një rast të dëmtimit të pronës.

SuharekaOnline kishte mësuar se në mëngjesin e së hënës, rreth orës 06:25 në Policinë e Kosovës në Suharekë është raportuar se persona të panjohur e kanë dëmtuar derën e hyrjes së shkollës fillore ”Xhavit Sylaj”në fshatin Sllapuzhan.

Më datë 04 mars, është raportuar se në një pompë derivatesh në Suharekë, dy persona të panjohur kanë grabitur para. Burime të SuharekaOnline kishin bërë të ditur se të mërkurën rreth orës 04:30 një person ka raportuar në Policinë e Kosovës në Suharekë se në vendin e tij të punës kanë hyrë dy persona të panjohur. Poashtu është mësuar se shuma prej 1,500 euro u grabit në kohën kur punëtori i mitur (17 vjeçar) ishte në pompën e derivateve, nga dy persona të panjohur.

Më datë 04 mars, në redaksinë e SuharekaOnline një qytetarë kishte raportuar për një rast të dhunës në familje. Saktësisht rasti kishte ndodhur më datën 25 shkurt të këtij viti, ku një qytetar ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes e që si pasojë i ka thyer dorën.

Rastin për SuharekaOnline e kanë konfirmuar edhe burime brenda Policisë së Kosovës, ku kanë bërë të ditur se rasti në fjalë ka ndodhur me 25.02.2021 ndërsa sot rreth orës 14:15 është raportuar i dyshuari i cili është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje. Gjithashtu viktima dhe fëmijët janë dërguar në strehimore sipas procedurave që parashihen në këto raste.

Ndërsa, më datë 05 mars, është denuar ekzaminieri nga Suhareka me inicialet G.K, pasi që i njejti më 18 shtator të vitit 2019, rreth orës 11:00, në cilësi të ekzaminerit në Qendër për Patentë të Shoferëve në Prishtinë, ka shfrytëzuar pozitën e tij duke marrë instruksione nga i akuzuari E.ZH që t’i ndihmonte një kandidatës në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Ndërsa, lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë të premtën (05 mars 2021) e ka shpallur fajtor ekzaminierin nga Suhareka, G.K, duke i shqiptuar dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit të ekzaminerit për periudhë 3 vjeçare.

Rastet e parave të falsifikuara kohëve të fundit janë mjaftë të shpeshta, të cilat raportohen në Policinë e Kosovës. Dy raste të tilla janë raportuar të martën edhe në Policinë e Kosovës në Suharekë, të cilat për SuharekaOnline i ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për Rajonin e Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj.

Osmanollaj ka njoftuar se gjatë ditës së martë rreth orës 15:00 një punëtore e një banke në qytetin e Suharekës ka raportuar në polici, se ka hasur në një kartëmonedhë në vlerë prej 500 euro, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Ai shton se e njejta vetëm 20 minuta pas ka raportuar përsëri në polici për një kartëmonedhë tjetër që dyshohet të jetë e falsifikuar, e cila poashtu ka qenë në vlerë prej 500 euro.

Si ka qenë gjendja me pandeminë COVID-19 në Komunën e Suharekës dhe në shkollat e saj?

Numri i rasteve pozitive gjatë këtyre ditëve në përgjithësi ka shënuar rritje duke e krahasuar me ditët e fundit të muajit paraprakë, këtë e ka dëshmuar më së miri fakti që Komuna e Suharekës e cila nga zona e gjelbër kishte kaluar në atë të verdhë.

Ndërsa, për gjendjen me pandeminë COVID-19 në shkollat e komunës, SuharekaOnline e ka kontaktuar, drejtorin e DKA-Suharekë, Remzi Bajselmanin, i cili ka thënë se gjendja në përgjithësi është e qetë dhe e menaxhueshme, ai tutje kishte bërë të ditur se në javën e parë të muajit mars të këtij viti të infektuar me COVID-19 kanë qenë një nxënës dhe një mësimdhënës në Gjimnazin ”Jeta e re” në Suharekë.

Bajselmani kishte bërë të ditur se mësimdhënësi kishte pasur disa komplikacione, ndërsa gjendja shëndetësore e nxënësit në fjalë kishte qenë e mirë.

Sa raste pozitive me COVID-19 dhe sa viktima u regjistruan nga muaji mars i vitit të kaluar deri më 8 mars të këtij viti?

Zëdhënësi i Minstrisë në detyrë të Shëndetësisë, Faik Hoti ka njoftuar për situatën me COVID-19 për të gjtiha komunat e Kosovës.

Hoti ka bërë të ditur se nga marsi i vitit paraprakë deri më 8 mars të këtij viti në Komunën e Suharekës janë konfirmuar 1,251 raste pozitive me COVID-19, prej tyre 962 janë shëruar dhe fatkeqësisht 70 të tjerë e kanë humbur betejën me këtë virus.

Çfarë ndodhi me ndërtimin e çerdhes në Studençan dhe amfiteatrin në Mushtisht?

Qeveria në detyrë e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e 68 me radhë, ka hedhur në votim edhe shqyrtimin e Propozim-vendimit Përfundimtar për shpronësim për interes publik të Objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në këtë pikë preken nga realizimi i projekteve ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’ në fshatin Studençan.

‘Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të Objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i Parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’, në fshatin Studençan, Komuna e Suharekës” thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kujtojmë se në buxhetin e vitit 2021 Komuna e Suharekës ka parashikuar 25,000.00 € për ndërtimin e “Këndit për të moshuarit’’ dhe 15,000.00 € për rregullimin e Infrastrukturës për “Çerdhën e fëmijëve” në fshatin Studençan.

Çfarë ndodhi me 8 mars, 2021?

Më datë 8 mars, 2021 u shënua dita ndërkombëtare e gruas, e që për nderë të kësaj dite, stafi i redaksisë SuharekaOnline me përkrahjen e ”Hallka” Marketing Agency dhe Organizatës Jo Qeveritare ”SixBits” kanë dhuruar më shumë se 100 trëndafila për femrat, nënat dhe gratë të cilat punojnë në QKMF, në stacionin policor, në shkolla, në Handikos, në bibliotekë dhe të gjitha atyre që i kanë takuar në qytetin e Suharekës.