Rreth 2600 kosovarë, në pritje për t’u kthyer në vend

Mbyllja e kufijve si shkak i pandemisë, është bërë problem për shumë shtetas kosovarë që Covid-19 i gjeti jashtë territorit të Kosovës.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë njoftuar se aktualisht 2600 shtetas kosovarë kanë mbetur jashtë vendit dhe që kanë aplikuar për kthim në Kosovë.

Në përgjigjen e MPJD-së thuhet se është hartuar edhe një listë që ndan këta persona në dy kategori: si raste emergjente dhe jo emergjente, ku prioritet kryesor kanë personat e moshuar pa sigurim shëndetësor, ata që nuk kanë strehim dhe personat që nuk mund të marrin mjekim në shtete të ndryshme, raporton KOHA.

‘’Duke marrë parasysh se kapacitetet aktuale nuk mundësojnë kthimin e përnjëhershëm të gjithëve, MPJD, në koordinim me Ambasadat e RKS-së, kanë hartuar lista të detajuara me të gjitha kërkesat dhe janë ndarë në dy kategori: Kategoria I: rastet Emergjente dhe Kategoria II: rastet joemergjente, por që nuk nënkupton se nuk do të trajtohen me të njëjtin intensitet. Rastet Emergjente janë bazuar në këto kritere: personat që nuk kanë strehim, personat e moshuar pa sigurim shëndetësor, personat për trajtim shëndetësor në shtete të ndryshme dhe personat e mitur pa mbikëqyrje prindërore”, është thënë nga Zyra për media e Ministrisë në detyrë të Punëve të Jashtme.

Sipas kësaj ministrie 800 është numri i personave që janë futur në listën emergjente për kthim ku shumica prej tyre janë në Turqi për trajtime shëndetësore.

Ndërkohë që kërkesat aktualisht janë duke u shqyrtuar për shtetas kosovar nga 5 shtete të ndryshme.

Derisa nga Ministria e Infrastrukturës thonë se problemi më i madh aktualisht mbetet vendosja në karantinë e të kthyerve nga jashtë dhe jo kthimi i tyre në Kosovë.

E zëvendësministri i Shëndetësisë tha se vendosja e shtetasve kosovarë në lokacione të tjera si zonë karantine jashtë Qendrës së Studentëve, vetëm sa do të vështirësonte situatën.

Nga java e ardhshme pritet që të nisen 5 fluturime drejt Kosovës për shtetasit që kanë mbetur jashtë Kosovës në kohën kur u mor vendimi për mbyllje të kufijve./Koha.net/

RAPORTO