Remzi Shala mohon të jetë marrë me popullsinë civile

Të premtën në Gjykatën Themelore të Prizrenit, është zhvilluar shqyrtimi kryesor në lëndën penale kundër të akuzuarit Remzi Shala, i cili akuzohet për krimet lufte ndaj popullsisë civile.

Në këtë seancë i akuzuari është marrë në pyetje nga avokati i tij. Shala është përgjigjur vetëm në disa pyetje të mbrojtësit të tij dhe më pastaj ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes me heshtje.

Me këtë rast ai ka theksuar se nuk e ka njohur të ndjerin Haxhi Përteshi e as ndonjë anëtar tjetër të familjes Përteshi, meqë, sipas tij, nuk është marrë me popullsinë civile, shkruan “Koha Ditore”.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës e akuzon Remzi Shalën se në qershor të vitit 1998, bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, e kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Shala fillimisht ka theksuar se qëndron prapa deklaratës së dhënë në Polici më 14 prill 2016 dhe më 26 shtator 2016.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.