Vrasja në Prizren, gjashtë persona dërgohen në mbajtje
- 03.01.2023

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Prizren në natën e tretë të vitit të ri ku në një lokal nate ka nisur një sherr i cili dyshohet se ka çuar në vrasjen e një 31-vjeçari me origjinë nga Kukësi.
I dyshuar për krimin e rëndë është pronari i lokalit D.H i njohur ndryshe si Kobra.
E për gjashtë personat e dyshuar si të involvuar në këtë rast, Prokuroria ka marrë vendim që të dërgohen 48 orë në mbajtje.
“Me urdhët të prokurorit është marrë vendim që të gjashtë të dyshuarit të dërgohen në mbajtje prej 48-orëve”, tha togeri i policisë Shqyri Bytyqi.
Në vendngjarje Bytyqi konfirmoi se janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.
“Është kryer bastisja e lokalit si dhe shtëpisë së të dyshuarit. Në vendngjarje anë gjetur së paku tri gëzhoja dhe lokali i demoluar. Aktualisht po vazhdon intervistimi i të dyshuarit dhe personave të tjerë, dëshmitarë okularë si dhe pjesëtarë të stafit të lokalit”, u shpreh ai.
Policia e Shqipërisë kishe njoftuar se viktima është një 31-vjeçar me inicialet V.C, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit. Ndërsa, i plagosur ka mbetur një 27-vjeçar me inicialet R.SH.
Ky i fundit ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit.
“Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovarë. Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.