Hoti gjatë shpërndarjes së librave në Dragash: Me lexim nuk dështoni

04.02.2020

Nxënësit fitues të komunës së Dragashit sot kanë marr shpërblim që ju është mundësuar përmes Programit Nacional për Rininë. Secili nga këta nxënës që ishin fitues të garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë, morën nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh. Librat i shpërndau Koordinatori Nacional […]

Hoti gjatë shpërndarjes së librave në Dragash: Me lexim nuk dështoni Foto: Ilustrim

Nxënësit fitues të komunës së Dragashit sot kanë marr shpërblim që ju është mundësuar përmes Programit Nacional për Rininë. Secili nga këta nxënës që ishin fitues të garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë, morën nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh.

Librat i shpërndau Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti. Ai gjatë ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve u foli nxënësve për rëndësinë e librit dhe leximit. Po ashtu, ai foli edhe për nxënësit e komuniteteve në këtë komunë për të cilët tha se ishin të jashtëzakonshëm në gara.

“Sot kam kënaqësinë të jem para mendjes më të ditur të komunës së Dragashit. Ju jeni mendja që do ta determinoni të ardhmen jo vetëm për komunën e Dragashit por ne presim që shumë prej jush të jeni nesër në pozicione të rëndësishme dhe të merrni vendime të mëdha për vendin, e pse jo edhe të jeni edhe në ulëset e Parlamentit Evropian. Ne kemi sjellë para jush dhuratat që ju i keni merituar. Janë këto librat që prezantojnë mendjet më të ndritura të historisë së njerëzimit. Këta libra këtu i lexojnë të gjithë bashkëmoshatarët e juaj kudo që ata ndodhen nëpër botë. Përmes leximit ju e keni shansin e jetës të jeni të barabartë me të gjithë nxënësit e botës kudo që ata janë. Përmes leximit ju nuk bëheni pjesë e asnjë dështimi sepse përmes leximit ju arrini të zgjidhni probleme të jashtëzakonshme”, tha koordinatori Hoti.

Ndërsa, Drejtori Komunal i Arsimit, Vloran Cenaj, foli për garat e realizuara në Dragash dhe tha se është i kënaqur me rezultatet e nxënësve të komunës së tij.

“Edhe pse komuna e Dragashit është një komunë e vogël për nga numri i popullsisë dhe për nga sipërfaqja, ne përmes angazhimit të përbashkët, prej një pune shumë të mirë që e kanë bërë mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, zyrtarët e drejtorisë, kemi arritur që në nivel të Republikës të Kosovës të jemi në mesin e komunave që kemi marrë më së shumti shpërblime. Këtë po e dëshmon edhe prania e shumë nxënësve fitues në këtë sallë. Edhe pse në numër të vogël të popullsisë, nëse e shikojmë në raport numrin e nxënësve dhe shpërblimeve të fituara në nivel të Kosovës, atëherë komuna e Dragashit është komuna e cila ka fituar më së shumti shpërblime në nivel të Republikës. Ne duhet të dëshmojmë që jemi një trevë arsimdashëse, duhet të dëshmojmë se kemi qenë dhe jemi më të mirët”, tha Cenaj.

Koordinatori Hoti ka shpërndarë libra edhe në bibliotekën e fshatit Nagavc të Rahovecit e cila deri më tani nuk kishte libra, ndërsa me librat e dhuruara nga Hoti nxënësit do të kenë mundësi të lexojnë literaturë nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës.