🛂 Nuk i presin vizat, qytetarë e politikanë kosovar pajisen me Pasaportë Shqiptare

“Me pasaportën e Kosovës nuk mund të shkosh as te dajt”, është një nga shprehjet që mund të hasët shpesh tek bisedat mes të rinjëve kosovarë, e që në fakt përtej shakas tregon dramën e izolimit të tyre.

Kosova është i vetmi vend në Evropë i cili vazhdon të mbetet i izoluar, po nuk pate pasaportë diplomatike, me pasaportën kosovare mund të shkosh vetëm në pak vende.

Ndërkohë që politikanët kosovarë pajisen me shtetësi të Republikës së Shqipërisë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen.

Por si mund të pajisesh me “Shtetësi Shqiptare” që rezulton me marrjen e pasaportës shqiptare?

  • Sipas ligjit nr. 8389 të datës 5.8.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, neni 9 pika 7 thotë se të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6, në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.
  • Sipas nenit 92 pika C të Kushtetutës së Shqipërisë, President i Republikës së Shqipërisë jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit
  • Sipas nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.

Përderisa politikanët kosovar pothuajse mbi një dekadë japin premtime se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodh në tre apo gjashtë mujorin e ardhshëm, për vete e kanë të zgjidhur çështjen e udhëtimit pasiqë për vete dhe familjarët e tyre kanë pasaportë të Shqipërisë.

Kësisoj sipas dekretit nr.9720 të datës 08.08.2016 të ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, Albin Kurti, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Liburn Aliu, Glauk Konjufca u jepet Shtetësia Shqiptare.

Gjithashtu sipas dekretit nr.10152 të datës 24.04.2017 të ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, Ramush Haradinaj dhe Anita Haradinaj u jepet Shtetësia Shqiptare.

Pothuajse një vit më vonë, me dekret të presidentit, Ilir Meta në të njëjtën listë: Daut Haradinaj, Gani Dreshaj, Donika Kadaj Bujupi, Naser Bujupi(bashkëshorti i Donika Kadaj) u jepet Shtetësia Shqiptare.

Pa Shtetësi Shqiptare nuk ka mbetur as deputetja e AAK-së nga Suhareka, Albena Reshitaj.

Në vitin 2018 edhe kreut të opozitës, Kadri Veseli, i jepet Shtetësia Shqiptare.

As djali i presidentit Thaçi, Endriti nuk ka mbetur pa Shtetësi Shqiptare.

As familja e ish-shefit të PDK-së, Adem Grabovci e familja e Lulzim Kabashit nuk kanë mbetur pa Shtetësi Shqiptare.

Ndër të dekretuarit që kanë Shtetësi Shqiptare janë Time Kadriaj, Bekë Berisha, Muharrem Nitaj, Aleksander Nik Lumezi, Rasim Selmanaj, Shkumbin Demaliaj, Jakup Krasniqi.

Që nga koha kur BE hoqi vizat për Shqipërinë, numri i marrjes së nënshtetësisë shqiptare është rritur. Nga 733 raste të marrjes së pasaportës shqiptare nga personat me interes të veçantë që nga viti 2000, 564 erdhën, pasi Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave.

Në vitin 2008 ishin vetëm tri raste, ndërsa në vitin 2012 ishin 72, kurse rekordi u arrit në vitin 2018 me 119 raste.

Lista përbëhet nga emra të njohur biznesmenësh, gazetarësh, aktivistësh të shoqërisë civile, artistësh dhe sportistësh nga Kosova.

Në raportime të ndryshme, shqiptarë të Kosovës që kanë marrë shtetësinë shqiptare ose janë në proces të aplikimit disa thanë se fuqia e raporteve personale ka luajtur rol të rëndësishëm.

Disa thanë se iu është dashur të kenë rekomandim mbështetës nga një institucion publik, të tjerë e morën pa pasur mbështetje. Për disa procedura ishte e ngatërruar.