Nga lufta e fundit në Kosovë në Komunën e Suharekës u vranë 76 fëmijë, ende nuk dihet për fatin e 28 të tjerëve

Kanë kaluar më shumë se 22 vite nga lufta e armatosur në Kosovë, e fëmijët që u vranë gjatë kësaj lufte do të kujtohen gjithmonë, e do të nderohen nga të gjithë ata që sot po e gëzojnë lirinë.


Këta fëmijë i kanë bashkuar dy autor kosovarë, Nusret Pllana e Hanumshahe Ilazi, të cilët me shumë mund e vështirësi kanë arritur që ta finalizojnë një libër i cili sipas tyre është i vonuar sepse këto dëshmi është dashur që të mblidhen dhe të publikohen nga institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës, mirëpo për të mos e harruar dhe shkelur gjakun e fëmijëve, me një vullnet të madhë, Nusret Pllana ka filluar i vetëm që të kontaktojë me familjet dhe të afërmit e këtyre fëmijëve, duke mbledhur informacione e fotoportrete të fëmijeve të cilat janë në numër të madhë diku rreth 600.


Fillimisht libri është shkruar në vitin 2012 nga Hanumshahe Ilazi me titullin “A vritën Engjujt” mirëpo duke shtuar fakte dhe informacione së bashku me Nusret Pllanën vendosën që libri të quhej “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999”.

Në një intervistë për SuharekaOnline, Nusret Pllana tregon se para këtij libri shumë herë kanë qenë të pa përmbajtur sepse është e rëndë të shohësh fëmijë të vrarë e të masakruar në shekullin XX, e duke parë që institutcionet vendore dhe ato kombëtare qëndrojnë të heshtura, e kjo i ka shtyrë këta shkrimtar të jenë më të zhurmshëm .

Ne e dimë që fotot flasin sa 1000 fjalë shprehet z.Pllana por në rastin tonë ato flasin më shumë se aq.

Fëmijët e vrarë gjatë kohës së luftës janë renditur sipas komunave, ka informacione të shumta të cilat janë shkruar madje ka raste ku është treguar vendi e mënyra se si janë vrarë dhe nga kush.


Nga 30 komuna të asaj kohe në Kosovë, në 29 komuna ka fëmijë të vrarë duke e përjashtuar vetëm komunën e ish-Novobërdës e cila nuk ka asnjë fëmijë të vrarë bënë të ditur z.Pllana.


Në komunën e Suharekës sipas këtij libri numrat e të vrarëve civil e fëmijë janë jashtëzakonisht të lartë.
379 civil janë të vrarë gjatë viteve 1998-1999, 86 dëshmorë që ranë në altarin e lirisë, 113 persona të pagjetur, gjithsej 578 të vrarë në komunën tonë, nga ky numër 76 janë fëmijë të vrarë prej tyre 56 meshkuj dhe 20 femra një nga ta serbë, 28 fëmijë janë të pagjetur, 8 fëmijë janë dëshmorë lirie të moshës 16-17 vjeç.


Vetëm nga familja Berisha në komunën e Suharekës janë të vrarë 19 fëmijë, kjo familje cilësohet si njëra ndër familjet më të dëmtuara në Kosovë.

Gjithashtu Nusret Pllana ka treguar se më shumë se 10% e të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë janë fëmijë, andaj ai ka bërë kërkesë me shkrim në çdo komunë, që për nderë të gjakut të këtyre fëmijëve të ngriten përmendore me emrat e tyre, që të përkulemi para tyre për ti nderuar, por ai thotë se nuk ka marr asnjëherë asnjë përgjigjje nga asnjëra komunë e si shkas i kësaj injorance po ndjehen jo mirë.


Libri “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999” është promovuar në 10 shtete të Evropës dhe në Kanada, ky libër nuk ka arritur të dërgohet në shtetin e Sërbisë edhe pse besohet se mund ta kenë marr nga “Fondi Humanitarë” që udhëhiqet nga Natasa Kandic.


Nusret Pllana përmes portalit SuharekaOnline ka një porosi për të gjithë popullin në përgjithësi e për rininë në veçanti.


” Mos t’i përsërisin gabimet tona, të gjeneratës tonë që kemi kaluar e përjetuar gjithë këto të zeza, krime, dhunime, barbarizma, dëbime, sepse këto janë defekte tona të cilat kushtimisht po i quaj gjenetike. Mos i përsërisni gabimet tona sepse historia është hakmarrëse dhe ka qenë hakëmarrëse për popullin shqipëtarë, andaj ju lus në tokë e qiell mos i përsërisni këto gabime, 1. Harresa e kujtesës historike, 2. Bajraktarizmi, 3. Servilizimi ndaj të huajve”.


Që të mos na përsëritet historia nuk duhet ta harrojmë atë, t’i nderojmë e t’i respektojmë të gjithë ata që derdhen gjak e që ne sot po e gëzojmë lirinë, të punojmë që ta ngrisim ekonominë e çdo gjë tjetër të vendit e që mos t’i mbesim në dorë shtetit të Serbisë, shtoi në fund Nusret Pllana.

Gazetare Eurolinda Zenelaj, SuharekaOnline.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.