MPB kërkoi dëbimin e ish-këshilltarit të Kurtit, Avokati i Popullit tregon se pse e kërkoi pezullimin e këtij vendimi

Në fund të muajit shtator, këshilltarit të ish-kryeministrit Albin Kurti, Tienmu Ma, i ishte refuzuar kërkesa për të vazhduar qëndrimin në Kosovë, nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ai gjatë muajit gusht kishte parashtruar kërkesën në Divizionin të Huaj në MPB për leje qëndrim në Republikën e Kosovës, mirëpo Komisioni në fjalë ka vlerësuar se nuk i ka plotësuar kushtet dhe kriteret sipas ligjit për të huaj për qëndrim në Republikën e Kosovës.

E kjo çështje është e para me të cilën është marrë i sapo emëruari në pozitën e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

Ai në një intervistë për IndeksOnline, ka treguar se me të parë rastin, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të bëhet pezullimi i këtij vendimi.

Qelaj ka treguar për IndeksOnline se me të marrë mandatin javën e kaluar, është ballafaquar me lëndë që iu është dashur tu jap një kahje.

Ai ndonëse ka pohuar se nuk ka vendim të lehtë, duke folur për çështjen e këshilltarit të Kurtit, ka thënë se MBP-ja përmes refuzimit të kërkesës së tij për të vazhduar qëndrimin e tij në Republikën e Kosovës, ka bërë shkelje të vendimit të saj.

“Unë e kam vërejt që është në kundërshtim me një vendim të Ministrisë të Punëve të Brendshme i cili është marrë në fillim të muajit korrik e që ka të bëj me këto leje dhe me kërkesat e qytetarëve. Pasi e kam lexuar atë vendim e kam pas të lehtë me vendos sepse ai pezullon marrjen e të gjitha vendimeve për këto raste. Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët po i referohem përcakton që të gjitha kërkesat për leje, certifikata dhe nevoja të tjera të qytetarëve, të mos vendosen derisa të kalojnë masat e pandemisë”, tha Qelaj për IndeksOnline.

Qelaj ka thënë se ky vendim i ministrisë cenon të drejtat dhe liritë e njeriut dhe se për këtë tashmë është në pritje të një vendimi nga ana e institucioneve të vendit, e që janë të thirrura për të marrë vendime.

Se si do të procedohet tutje pas rekomandimit të avokatit të Popullit për pezullimin e këtij vendimi, Qelaj ka thënë se kjo tash është në duart e palës se ku dëshiron të ankohet, do të thotë në cilën instancë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.