Mësimi tërë ditor po kundërshtohet nga SBAShK-u

Nga shtatori i këtij viti, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) po synon të nisë pilotimin e mësimit tërë ditor në 29 shkolla publike në nivelin para universitar.

Mirëpo njohësit e çështjeve të arsimit shprehen skeptik në këtë drejtim, pasi sipas tyre nuk është koha për realizimin e këtij projekti, shkruan arbresh.info.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerëson se shkollat publike në Kosovë nuk plotësojnë as kushtet elementare për punë, dhe SBASHK-u është kundër fillimit të mësimit tërë ditor.

Ai thotë se shkollat në Kosovë ende punojnë me shkumsa dhe shpuzë, sepse në shkollat tona mungojnë edhe kompjuterët në kohën kur teknologjia ka shënuar rritje.

“Shkollat publike në Kosovë nuk i plotësojnë as kushtet elementare për punë e leje më për mësim terë ditorë dhe ne publikisht e kemi bërë të ditur duke pas edhe vizita në shtet e Evropës përmes mbështetjes që na e ka bërë GIZ, kemi parë që atje mësimi tëre ditor organizohet jo në mënyrë obligative por në mënyrë vullnetare”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, ky mësim zhvillohet më shumë për fëmijët që janë të ardhur në ato shtete dhe në ato shkolla janë të krijuara kushtet. Ai thotë se ka objekte shtesë siç janë: sallat e sportit, ambientet për të treguar nxënësit talentet e tyre dhe ajo që është e veçantë në ato shkolla janë të angazhuar mësimdhënës të tjerë që punojnë në mësimin e pasdites.

Jasharaj shprehet se në shkollat e Kosovës mungojnë kushtet elementare, prandaj sipas tij SBASHK-u e kundërshton një gjë të tillë.

“Të gjitha këto kushte i mungojnë shkollave tona dhe prandaj SBASHK-u është kundër fillimit të mësimit tërë ditor sepse pjesa më e madhe e shkollave tona kanë probleme edhe më mësimin aktual sepse mungojnë kushtet elementare të punës. Shkollat tona ende po punojnë me shkumc dhe shpuzë në kohen kur teknologjia ka shënuar arritje të madhe, dhe kompjuterët në shkollat tona mungojnë, po ashtu mungojnë kuzhinat”, është shprehur ai.

Sipas kreut të SBASHK-ut Kosova duhet të punojë edhe më shumë që të krijoj kushte të favorshme për mësimin tërë ditorë.

Ai, thotë se SBASHK-u në fillim te vitit shkollorë do apeloj mësimdhënësit që mos ta pranojnë fillimin e mësimit tërë ditor pa u plotësuar kushtet e nevojshme.

“Shteti ynë duhet të punoj shumë më tepër që të krijoj kushte të favorshme për mësimin tërë ditorë të angazhojë mësimdhënës shtesë dhe pastaj në të ardhmen mund edhe të mendohet për një gjë te tillë. SBASHK është kundër dhe në fillim të vitit ardhshëm shkollorë do të bëjë ftesë dhe do ti apelojë mësimdhënësit e të gjitha shkollave që mos ta pranojnë këtë mësim tërë ditor pa u plotësuar kushtet e nevojshme për një gjë të tillë”, ka thënë Jasharaj.

Përveç SBASHK-ut edhe njohësi i çështjeve të arsimit Halim Hyseni, pretendon se organizimi i mësimit tërë ditor kërkon plotësimin e standardëve të larta të cilat Kosova sot nuk mund ti plotësoj.

“Organizimi i mësimit tërë ditor kërkon plotësimin e standardëve të larta të cilat Kosova sot nuk mund ti plotëson andaj është një naivitet i një përpjekje që fëmijët tanë ti nënshtrohen edhe më tutje një torture eksperimentale. Kushti i parë është fëmijëve të ju sigurohet shujta e ushqimit brenda 2 here në ditë dhe çështja e dytë është që për secilin mësimdhënës duhet siguruar një aktivitet dhe e treta nuk mund të fillon një inovacion pa trajnimin e mësimdhënësve pa trajnimin e drejtorëve duhet të jenë kushtet e suksesshme për të qenë inovacioni i suksesshëm. Qeveria tani është në dorëheqje, këtë vendim duhet të ia lamë qeverisë së ardhshme”, thotë ai.

Portali Arbresh.info ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e shkollës jopublike “Mileniumi i Tretë”, Afrore Lila për ta parë dallimin mes një shkolle publike dhe jopublike.

Lila, tregon në detaje se si fëmijët kalojnë kohën në këtë shkollë më mësim tërë ditor. Sipas saj, fëmijët në këtë shkollë kalojnë 6 deri në 8 orë, pasi shkolla ka kapacitet të kënaqshëm infrastrukturor për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve tërë ditore – mësimore dhe jashtë mësimore.

Mësimi i rregullt në secilin nivel, sipas saj, zhvillohet në klasa të pajisura me projektor, në laboratorë të pajisur me tabela interaktive – SMART board, të cilat lehtësojnë mësimdhënien hulumtuese dhe realizimin e mësimit përmes platformave të ndryshme online.

“Shkolla jopublike “Mileniumi i Tretë” e themeluar nga Qendra për Arsim e Kosovës në vitin 2004, përbën të gjitha nivelet e shkollimit para universitar nga klasa para fillorë deri në fund të gjimnazit. Nxënësit kalojnë në shkollë 6-8 orë, në varësi nga mosha dhe nevojat individuale, duke kryer pjesën më të madhe të obligimeve të tyre gjatë këtij orari. Shkolla ka kapacitet të kënaqshëm infrastrukturor për realizim të suksesshëm të aktiviteteve tërë ditorë – mësimore dhe jashtë mësimore. Mësimi i rregullt në secilin nivel zhvillohet në klasa të pajisura me projektor, në laboratorë të pajisur me tabela interaktive – SMART board, të cilat lehtësojnë mësimdhënien hulumtuese dhe realizimin e mësimit përmes platformave të ndryshme online”, ka treguar Lila .

Tutje, ajo thotë se secili mësimdhënës ka laptopin personal, ndërkaq secili nxënësi i gjimnazit (kl. 10-12) ka tabletin personal për kryerjen e obligimeve dhe detyrave të punës.

Shkolla sipas saj, punëson mësimdhënës të kualifikuar, të cilët tregojnë prirje të veçantë për aplikimin e risive në procesin mësimor.

“Secili mësimdhënës ka laptopin personal, ndërkaq secili nxënësi i gjimnazit (kl. 10-12) ka tabletin personal për kryerjen e obligimeve dhe detyrave të punës. Çdo ditë e zakonshme pune nxënësit e klasave 6-12 kanë nga 6 orë mësimi të rregullt, dhe nga 2 orë aktivitete plotësuese në funksion të arritjes së rezultateve të të nxënit. Shkolla punëson mësimdhënës të kualifikuar, të cilët tregojnë prirje të veçantë për aplikimin e risive në procesin mësimor. Për mësimdhënësit ekziston një program i zhvillimit të vazhdueshëm profesional (trajnime me bazë në shkollë) dhe u ofrohet asistencë e vazhdueshme teknike në fushën e didaktikës, vlerësimit, planifikimit të aktiviteteve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare”, ka thënë ajo.

Ndryshe, fillimin e këtij procesi MASHT-i e kishte paralajmëruar edhe vitin e kaluar, por që kishte dështuar në mungesë të mjeteve financiare, për hapësira të mjaftueshme për mësim, hapësira relaksuese për nxënës, ushqim dhe kuzhina për ngrënie./Arbresh.info

RAPORTO