Manifestimet e Vidovdanit, Policia shoqëron 17 persona për provokime dhe armëmbajtje pa leje
Manifestimet për festën e “Vidovdanit”, të mbajtura më 28 qershor në Gazimestan dhe Graçanicë, kanë përfunduar pa ndonjë incident madhor, njofton Policia e Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas komunikatës zyrtare, falë masave të ndërmarra me kohë dhe koordinimit të strukturave të sigurisë, aktivitetet janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe nën kontroll të plotë.
Policia e Kosovës thekson se masat operative ishin ndërmarrë që më 27 qershor, përfshirë ruajtjen e rendit publik, menaxhimin e trafikut rrugor dhe kontrollin kufitar. Njësitet policore ishin të shpërndara në të gjitha rajonet dhe departamentet relevante për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimeve.
“Manifestimet kanë kaluar kryesisht qetë dhe pa incidente madhore”, thuhet në njoftim.
“Nuk është raportuar ndonjë rast që ka ndikuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve, përveç disa veprimeve të izoluara provokuese.”
Gjatë manifestimeve, janë shoqëruar në stacion policor 17 persona, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime provokuese, përfshirë nxitje të urrejtjes dhe veshje me përmbajtje të papërshtatshme dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Sipas Policisë:
- Një person është ndaluar mbi dyshimin për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
- Një tjetër ka marrë fletëparaqitje për kundërvajtje.
- Katër persona janë liruar pas intervistimit.
- Njëmbëdhjetë të tjerë janë ende në procedurë të intervistimit.
Të gjitha veprimet policore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me organet e drejtësisë.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke garantuar se do të vazhdojë angazhimin për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.