08.11.2019, 10:11

LVV-ja s’ia ofron LDK-së asnjë ministri si kundërpeshë për postin e kryeministrit

Dje edhe zyrtarisht nga KQZ-ja janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilat u mbajtën më 6 tetor, por sipas këtyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje doli të jetë partia më e votuar në Kosovë me 26.159% të votave.

Po ashtu tashmë kanë përfunduar edhe takimet mes dy grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së, me qëllim që të bëhet harmonizimi i programeve, por nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë të enjten se nuk do të ketë kundërpeshë për postin e kryeministrit, pasi që si partia e parë më e votuar nuk do të kalkulojë me këtë post, kur në rend dite të vihet ndarja e pushtetit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

LEXO EDHE:  Deri më 25 nëntor nuk ka targa të automjeteve!

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka treguar edhe pse do të refuzohet çfarëdo negociate e cila lidhet me kundërvlerën për pozitën e të parit të ekzekutivit, shkruan sot Koha Ditore.

“Posti i kryeministrit në asnjë rrethanë nuk është pjesë e diskutimeve. Ky post nuk negociohet meqë është përcaktuar me votë”, i ka thënë gazetës Bislimi. “Rrjedhimisht as mund të tregtohet e as balancohet me diçka tjetër”.

Po ashtu sipas rezultateve përfundimtare numri i votave që kanë siguruar kandidatët për deputetë që ishin të nominuar për kryeministër, prin ai i LVV-së. Albin Kurti ka marrë gjithsej 183.868 vota, ndërsa e nominuara e LDK-së, Vjosa Osmani, 176.188 vota.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.