KRU “Prishtina” ndërpret prodhimin e ujit në disa pjesë: Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe pjesë të Prishtinës mbeten pa ujë

para 36 dite

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRU “Prishtina”) ka njoftuar se si pasojë e punimeve teknike në kanalin Ibër-Lepenc, është shfaqur një nivel i lartë i turbullirës në ujin që shërben për trajtim në Fabrikën e Ujit në Shkabaj.

KRU “Prishtina” ndërpret prodhimin e ujit në disa pjesë: Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe pjesë të Prishtinës mbeten pa ujë

Ky nivel i lartë i turbullirës aktualisht e bën të pamundur trajtimin e ujit sipas standardeve të parashikuara për ujë të pijshëm.

Për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit që arrin te konsumatorët, KRU “Prishtina” ka qenë e detyruar të ndërpresë përkohësisht prodhimin e ujit në këtë fabrikë.

Si rezultat i kësaj ndërprerjeje, do të ketë mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të Komunës së Prishtinës dhe rrethinës. Zonat e prekura janë: Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas si dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë.

Nga KRU “Prishtina” theksohet se lagjet e tjera të Prishtinës do të preken minimalisht nga kjo situatë, duke u përpjekur të minimizohen ndikimet në pjesët e tjera të kryeqytetit.

“Jemi të përkushtuar që të veprojmë në përputhje me standardet më të larta të trajtimit të ujit dhe të ruajmë cilësinë për të gjithë konsumatorët tanë. Do të vazhdojmë t’ju informojmë me njoftimet e radhës për çdo ndryshim apo përmirësim të gjendjes,” thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Kompania fton konsumatorët të shfaqin mirëkuptim për situatën dhe të ndjekin njoftimet e ardhshme për rikthimin e furnizimit me ujë.

Etiketat

Ofertat e fundit